Lexo me "Si"

‘Mendja ime, më në fund u dorëzua…’

Telefoni na e ha kohën duke na bërë të jetojmë si njerëzit në një kazino, duke lëshuar një perde të zezë mbi dritare për të bllokuar botën , përveçse perdja  e zezë në këtë rast është një ekran që tregon shumë nga bota, madje shumë shpejt

Nga Jia Tolentino- Ndoshta, duhet t’i shkruaja këto rreshta në formularin e pranimit në zyrën e një neurologu.

Ndoshta mjegulla nuk është shpërndarë kurrë pas herës sime tim të tretë me COVID. Ndoshta është ndarja e vetvetes që vjen nga të pasurit e dy fëmijëve të vegjël por të shtirurit për gjysmën e ditës se nuk i ke. Ndoshta kjo është pikërisht ajo për të cilën më paralajmëroi nëna para njëzet vitesh kur zbuloi pasionin tim për marihuanën. Por më ngjan se një numër i madh njerëzish tani ndihen si unë  gjatë gjithë kohës.

Në rrënjë të kësaj turbullese mund të jetë diçka e çuditshme që po ndodh me kohën. Zakonisht e ndjek atë në telefonin tim, një pajisje që më bën të ndihem sikur jam shtrirë horizontalisht në një dërrasë të së tashmes së rreme: e kaluara është zhdukur, e ardhmja është e paimagjinueshme, dhe sytë janë ngulur në të tashmen që furnizohet pa pushim. Më shumë se një dekadë ankesa për këtë gjendje, ende nuk kam bërë asgjë që ta detyroj veten të shkëputem sapak çdo ditë. Dhe, ndonëse ka pasur një kohë kur rrethanat e mija fizike ndjeheshin më të prekshme se çdo gjë që shikoja në telefon, ky vit ka shënuar një pikë kthese. Tani tentakulat njohëse të një psikozë të bazuar në telefon shpesh duken më përshkruese të realitetit bashkëkohor, sesa lulet e dafines që çelin në park.

Telefoni na e ha kohën duke na bërë të jetojmë si njerëzit në një kazino, duke lëshuar një perde të zezë mbi dritare për të bllokuar botën , përveçse perdja  e zezë në këtë rast është një ekran që tregon shumë nga bota, madje shumë shpejt. Siç shkruan Richard Seymour në librin “The Twittering Machine: Kjo shmangie e rrjedhës reale të kohës, kjo dëshirë për ngrënësin e kohës është një histori tmerri që mund të ndodhë vetëm në një shoqëri që është e zënë duke prodhuar tmerr.

Por tani duket sikur edhe vetë realiteti kërkon të hajë kohën. Për shembull: dhjetë ditë përpara se të betohej, Trump ishte shpallur fajtor dhe dënuar në lirim me kusht  për tridhjetë e katër akuza penale që lidheshin me falsifikim të të dhënave të biznesit. Por nuk e mbaj mend mirë këtë, as nuk e kuptoj nëse kishte ndonjë rëndësi. Mbaj mend ditën e Parë të Presidencës së tij, kur e riemëroi Gjirin e Meksikës dhe gjithashtu nënshkroi urdhra ekzekutivë për të hequr të drejtën e shtetësisë me lindje, për të rikthyer dënimin me vdekje në nivel federal, dhe për të fshirë çdo gjë që lëshon aromën e D.E.I.-së (Diversitet, Barazi, Përfshirje).

Po ashtu edhe ditën e pestë, kur pushoi rojtarët e qeverisë, urdhëroi ndalimin e hetimeve për ndalimet e librave, dhe sugjeroi mbylljen e FEMA-s; edhe ditën e dhjetë, kur njoftoi planet për të zhvendosur emigrantët në Guantanamo dhe pretendoi, pa prova, se SHBA kishte dërguar prezervativë me vlerë pesëdhjetë milionë dollarë në Gaza. Por kanë kaluar edhe nëntëdhjetë ditë të tjera që nga ajo kohë, ku çdo ngjarje e re duket e paimagjinueshme në çastin që ndodh. Shfaqet në tituj lajmesh, dhe më pas zhduket në një varrezë të ndërgjegjes një vend ku gjërat nuk janë përvetësuar, as përpunuar, as kundërshtuar, por janë shtyrë në realitet, ku do të qëndrojnë si sfondi zbehur i paradës groteske të çdo dite të re.

E kisha këtë ndjesi edhe në fillim të mandatit të parë të Trumpit, por ajo kohë tani duket naive në krahasim me të sotmen. Tani presidenti ynë, bashkë me nënoficerin e tij, Elon Musk, po veprojnë me ritmin e internetit që për tetë vjet është përshpejtuar pandërprerë. Ai po e shfrytëzon këtë shpejtësi, duke përdorur mënyrën se si ajo ka dëmtuar ndjesinë tonë për realen; po e kalëron atë, po e tejkalon. Të indinjohemi tani duket thuajse anakronike, si një refleks i mbetur nga administrata e parë, kur ishte diçka e re dhe disi e domosdoshme të mendonim gjëra si; “Ai s’mund ta bëjë këtë, është e paligjshme”,  ose :Nëse e bën këtë, rrëshqasim drejt fashizmit”. Por tashmë jemi aty; fashizmi amerikan i shekullit XXI është në valën e tij të tretë estetike. Administrata sillet si një grup fëmijësh nën ndikimin e barnave, që ndezin zjarre dhe shqyejnë mobiljet; ndërsa anëtarët e opozitës demokrate, me ndoshta tre përjashtime, sillen si prindër të dorëzuar që mbajnë tabela ku shkruhet: NDALINI ZJARRET.

Reagimi im psikologjik ndaj Trumpit dhe ndjenja ime qytetare për çfarë duhet bërë nën hijen e kësaj administrate.  Janë ndryshuar rrënjësisht nga lufta në Gaza ,  tmerri i së cilës duket i pabesueshëm çdo mëngjes dhe më pas përthithet pa mundim, për neveri, në të kaluarën e pakthyeshme. Prej një viti e gjysmë po shohim në telefonat tanë video të foshnjave që lihen të vdesin në spitale të bombarduara nga Izraeli, të prindërve që qajnë mbi trupat e fëmijëve të tyre, të jetimëve të uritur që mbulojnë vëllezërit e motrat me rroba të grisura për t’i ngrohur. Qeveria jonë vazhdon t’i japë Izraelit miliarda ndihma ushtarake për të kryer këto mizori. Sipas një numërimi publik të një grupi aktivistësh, nga pesëqind e tridhjetë e pesë anëtarët e Kongresit, vetëm nëntëdhjetë kanë bërë ndonjëherë thirrje të qartë që kjo të ndalet.

Ka pasur rezistencë të vërtetë për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje të padurueshme: njerëzit  kanë marshuar, kanë shkruar letra, janë përballuar me politikanë, kanë pushtuar ndërtesa, kanë bllokuar autostrada, janë arrestuar, madje edhe janë vetëdjegur. Në një moment, gjatë shkrimit tim  të zakonshëm të letrave, më ra ndër mend se nuk prisja që asnjë fjalë e imja të arrinte me kuptim te ndonjë qenie njerëzore. Zyra e senatorit tim më dërgoi më në fund një letër formale në dhjetorin e kaluar, duke më thënë se qëllimi i Izraelit ishte të “minimizonte humbjen e jetëve të pafajshme palestineze dhe të maksimizonte ndihmën humanitare për civilët e pafajshëm në Gaza.”

Menjëherë pas 7 tetorit, autoritetet izraelite kërkuan publikisht një “rrethim të plotë” ndaj “kafshëve njerëzore” në Gaza dhe ndalimin e plotë të elektricitetit, ujit dhe karburantit. Një i ftohtë me ethe ta pushton trupin në një pikë, pastaj një rëndesë e errët, pastaj një shkëputje. Vazhdoja të shkruaja, por më dukej si një impuls ritual, si të hidhja monedha në një pus dëshirash kur isha fëmijë. Fëmijët e mi, të tërhequr në marshime nga prindërit e tyre, ngrinin sytë nga qielli për të numëruar e për t’u numëruar nga dronët e NYPD-së që fluturonin mbi ta.

Dyshoj se ndjesia e turbullt në kokën time lidhet gjithashtu me një instinkt të padenjë: është më e lehtë të tërhiqesh nga vetë koncepti i realitetit sesa të pranosh që gjërat në lajme janë të vërteta. Shkatërrimi i përgjakshëm i infrastrukturës globale të shëndetit publik. Deportimi i burrave venezuelianë në një mega-burg të tmerrshëm në El Salvador, nën dyshimin e diskutueshëm të lidhjeve me banda, bazuar në praninë e tatuazheve: lule, logo futbolli, një fjongo për ndërgjegjësimin ndaj autizmit. Një qytetare dhjetëvjeçare, në trajtim për kancer të trurit, e deportuar së bashku me prindërit e saj pa dokumente. Kërkimi për shërimin e kancerit i ricilësuar në mënyrë efektive si një paaftësi burokratike dhe fondet e tij të copëtuara. Shkurtimet ndaj “Shërbimit Kombëtar të Parqeve”,  agjencisë më të drejtë të qeverisë.

Propozimet në Dhomën e Përfaqësuesve që të kujtojnë hijen e Turkmenistanit: propozime për ta shpallur ditëlindjen e Trumpit festë kombëtare, për ta gdhendur fytyrën e tij në Malin Rushmore, ose për ta vënë portretin e tij në një kartëmonedhë të re prej dyqind e pesëdhjetë dollarësh. Dhe si mund ta themi ndryshe,  rrëmbimet e sponsorizuara nga shteti: zhdukja në një qendër ndalimi të ICE në Luiziana e një studenti me green-card, për jo-krimin e mbështetjes së një kampi pro-Palestinë në Columbia; e njëjta gjë ndodhi me një studente turke bursiste Fulbright, me vizë studenti  ku burra me maska e kapën në rrugë, e lidhën me pranga, ia morën telefonin për faktin se kishte bashkëshkruar një  artikull opinion.

Planet për një “kartë floriri” pesë milionë dollarëshe. Arrestimi i një gjykatësi në Milwaukee për ndihmën e dyshuar ndaj një emigranti për të shmangur agjentët federalë. Darkat për mbledhjen e fondeve për fushatën presidenciale, me çmime një milion dollarë për pjatë, për një President që ligjërisht nuk lejohet të kandidojë sërish.

Shumë nga këto lajme duket se janë tepër të tmerrshme për t’u besuar, përveçse janë të vërteta, edhe pse ato raportohen në media që shumë amerikanë refuzojnë t’i besojnë, dhe shfaqen në rrjedhat e lajmeve së bashku me një gamë të gjerë ngjarjesh  që janë qartësisht të rreme ose, ndoshta të rrezikshme,  dhe çuditërisht të pasigurta.

Po shëtisja një ditë me një tjetër gazetar, dhe e pyesja nëse edhe ajo po përjetonte këtë , pra një lëshim të instinktit të zakonshëm për të verifikuar faktet. Ajo më tha se ende hulumtonte atë që shihte në rrjedhat e saj nëse ishte diçka e rëndësishme, ose e lidhur me punën e saj.Por tani ka një kategori gjërash që shoh në internet, të cilat i regjistroj thjesht si shenja që bota po shpërthen përtej kuptimit tim. Një video e një Pikachu gjigant që po largohej nga policia gjatë demonstratave në Turqi. Një klip i ish-Governatorit Andreë Cuomo që thoshte: “Si një New Yorker, jam i zi, jam homoseksual, jam invalid, jam një grua që po kërkon të kontrollojë shëndetin dhe zgjedhjet e saj.” Shoh reklama Temu për produkte të pabesueshme ,  një shteg uji me dizajn jo-njerëzor, për shembull, të shoqëruara me fëmijë dhe lodra të krijuara në mënyrë digjitale.

Imazhet e rreme në internet nuk më shqetësuan deri sa fillova t’i shoh me fëmijët e mi. Ata shpesh kërkojnë të shohin fotografi të kafshëve të vogla; në një moment, Google Images filloi të na tregonte krijesa A.I., duke prishur tërë idenë, e cila ishte të mahnitesh nga fakti që këto pëllumba dhe luanë të vegjël vërtet ekzistojnë. Për një kohë, nëse kërkoje Van Gogh, imazhi i parë që shfaqej ishte një version i A.I.-së i një portreti të Van Gogh-ut. Nëse kërkon “Kopshti i Kënaqësive Tokësore” nga Hieronymus Bosch, mund të drejtohesh te një imitimi i keq i A.I. i krijuar nga themeluesi i një “Revistë NFT-je që mund të lexohet dhe mblidhet në Ethereum.”

Instagram është i mbushur me influencues A.I. , fytyra artificiale të bashkangjitura në trupat e grave reale, të përdorura si reklama për të tërhequr trafikun në faqet që ofrojnë përmbajtje seksuale, gjithashtu të krijuara nga A.I. Në OnlyFans, gratë përdorin në mënyrë të fshehtë ndihmës A.I. për t’u bërë kalime të bisedave me klientët. Faqja ime “Për Ty” në Instagram është gjithmonë plot me përmbajtje të pabesueshme të vajzave të bukura, për shkak të interesit tim personal dhe profesional për optimizimin e feminitetit; kohët e fundit, ka pasur shumë imazhe A.I. të famshmeve femra në bikini, nën të cilat janë komente të shkruara nga bota që imitojnë njerëzit dhe njerëzit që mund të imitojnë bota. Shumë nga këto imazhe duken më pak artificiale se ato që po imitojnë.

Imazhe të rreme të njerëzve të vërtetë, imazhe të vërteta të njerëzve të rremë; histori të rreme për gjëra të vërteta, histori të vërteta për gjëra të rreme. Fjalë të rreme që përhapen si kudzu në punime shkencore, profile të takimeve dhe email-e, mesazhe dhe lajme dhe rrjedha lajmesh dhe shpallje punësimi dhe aplikime për punë. Entitete të rreme që qëndrojnë roje mbi kutitë e bisedave kur përpiqemi të kontestojmë një faturë mjekësore, duke pritur që ne të zhbllokojmë kodin që na lejon të flasim me një njeri. Fjalët bëhen të paqarta dhe imazhet bëhen të paqarta dhe një strukturë leje krijohet për ne që të shkëputemi nga realiteti,  fillimisht për një moment, pastaj për një ditë, një javë, një sezon zgjedhor, e ndoshta për një jetë të tërë.

Njerëzit përdorin ChatGPT, megjithëse nuk i besojnë plotësisht: në një sondazh, rreth katër në dhjetë njerëz thanë se kishin pak ose aspak besim se ChatGPT do t’u ofronte informacion të saktë për zgjedhjet e 2024-ës.

A.I. është thjesht e neveritshme për mua: i fshin paragjykimet në neutralitet; halucinacione që helmatisin projeksionet e realitetiti. Një qen i bërë njëri, dhe një njeri i kthyer në qen. Aq më shumë njerëzit përdorin ChatGPT, aq më të vetmuar dhe më të varur bëhen nga aji. Një përditësim i fundit i sistemit e bëri chatbot-in kaq psikopat , sa që, nëse një përdorues i thoshte se kishte ndaluar marrjen e ilaçeve dhe kishte braktisur familjen, sepse ata po transmetonin sinjale të dyshimta dhe ChatGPT do të përgjigjej me lavdërime të tepërta për udhëtimin e tij të guximshëm për të ndjekur të vërtetën e tij.

Javën e kaluar, Mark Zuckerberg sugjeroi, në një podcast, se personi mesatar ka vetëm tre miq, por ka “demand” për pesëmbëdhjetë, dhe që A.I. mund ta ndihmojë. ChatGPT do të shndërrojë problemet që pretendon t’i zgjidhë, dhe kështu do ta bëjë veten esencial: duke inkurajuar përdoruesit të mbështeten gjithnjë e më shumë në burimet e jashtme dhe kapacitetin personal në një kohë kur shumica prej nesh tashmë po humbasim vullnetin tonë, instinktet tona, ndjenjën e sigurisë me të cilat e trajtojmë detyrën e jetës.

Një mori njerëzish po krijojnë autoportrete të manipuluara nga A.I. në platforma që mund të rezervojnë të drejtën për të përdorur këto imazhe në reklama. Mashtruesit po përdorin “deepfake” të drejtpërdrejta në thirrje video, duke ndryshuar racën, gjininë dhe zërin në kohë reale. Kur fëmijët e mi të jenë para-pubertet, do të jetë e lehtë, dhe ndoshta falas, të krijosh pornografi të personalizuar duke përdorur njerëzit që ata duan. Prandaj mendoj se nuk do të duket shokues për ta, ashtu siç duket për mua, nëse një chatbot që shërben si një e dashur virtuale inkurajon një nga shokët e tyre të vdesë nga vetëvrasja

Burimi : The New Yorker

-Jia Tolentino është gazetare dhe kolumniste e njohur në “The New Yorker” që nga viti 2016, ku ka mbuluar një gamë të gjerë temash, shpesh duke u zhytur në kompleksitetet e jetës moderne, identitetit dhe ndryshimeve shoqërore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë