Gazeta Si – Të imagjinosh një përvojë pozitive mund të ndryshojë mënyrën se si truri ruan informacionin, duke na bërë më të motivuar dhe duke ndikuar në zgjedhjet tona.
Kjo del sipas një studimi të botuar në revistën “Nature Communications” nga Universiteti i Kolorados në Boulder dhe “Instituti Max Planck” për Shkencat Konjitive dhe të Trurit në Gjermani.
Siç pohon koordinatori i studimit, Roland Benoit, profesor i asociuar i psikologjisë dhe neuroshkencës në Universitetin e Kolorados, gjetjet e hulumtimit tregojnë se “ne mund të mësojmë nga përvojat e imagjinuara, dhe në tru, kjo ndodh në të njëjtën mënyrë siç mësojmë nga përvojat reale”.
Sipas autores së parë, Aroma Dabasa, e gjithë kjo “sugjeron që imagjinata nuk është pasive, por mund të formësojë në mënyrë aktive atë që presim dhe atë që zgjedhim”.
Eksperimenti – Neuroshkencëtarët e zbuluan këtë në një eksperiment që përfshinte pesëdhjetë vullnetarë, të cilëve iu kërkua të listonin tridhjetë persona, duke i ndarë në tre grupe sipas faktit nëse i konsideronin të këndshëm, neutralë apo të papëlqyeshëm.
Pjesëmarrësit më pas iu nënshtruan imazherisë funksionale të rezonancës magnetike për të monitoruar aktivitetin e trurit të tyre, ndërsa ata imagjinonin intensivisht se kishin një përvojë pozitive ose negative me secilin prej personave neutralë.
Në fund të testit, pjesëmarrësit zhvilluan një preferencë për njerëzit me të cilët u argëtuan më shumë në imagjinatën e tyre dhe, në një test pasues, treguan se i pëlqenin më shumë.
Shpjegimi – Kjo ndodh për shkak të aktivizimit të rajonit të trurit të quajtur striatum ventral, i cili rregullon gabimin e parashikimit të shpërblimit dhe punon në bashkëpunim me korteksin prefrontal dorsomedial, i përfshirë në ruajtjen e kujtimeve individuale.
Gjetjet e këtij hulumtimi mund të ofrojnë mënyra të reja për të adresuar problemet e shëndetit mendor, për të përmirësuar marrëdhëniet dhe madje për të rritur performancën e atletëve dhe muzikantëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




