Ka ndodhur

Menaxhimi i Butrintit, shoqëria civile në protestë para parlamentit

Nga Gazeta Si - Përfaqësues të shoqërisë civile, Alenca për Mbrojtjen e Butrintit dhe arkeologë kanë mbajtur protestë para parlamentit këtë të enjte kundër dhënies së Parkut të Butrintit një fondacioni privat për menaxhimin e tij për 10 vite.

Ata janë shprehur se deputetët, të cilët përkrahin atë marrëveshje do të njihen si deputet të tradhtisë kombëtare.

“Ju lutem, deputetëve sot të votojnë pro dekretit të presidentit. Unë mendoj se ka deputetë edhe të majtë edhe të djathtë, të cilët do t’i thërrasin sot koshiencës së tyre sepse ndryshe do të përfundojnë si atëherë kur votuan ligjin për importin e plehrave do hyjnë në histori si deputet të tradhtisë kombëtare”, u shpreh aktivisti Andi Tepelena, pjesë e Aleancës për Mbrojtjen e Butrintit.

Gjatë protestës ata u shprehën se qytetarët nuk janë pyetur dhe se Butrintin e konsiderojnë si mall tregu.

Pjesë e protestës ishte dhe arkeologu i njohur, Apollon Baçe, i cili paralajmëroi qeverinë se çështjen do ta hedhin në Gjykatën Kushtetuese dhe në të gjitha instancat ndërkombëtare përfshirë dhe UNESCO-n.

Ai u shpreh se sot nuk pret që të ketë bisedime me deputetët në parlament, pasi sipas tij maxhoranca e ka ndarë mendjen për dhënien me koncesion të një tjetër pasurie kombëtare.

“Ne do ta hedhim në gjykatën Kushtetuese dhe po nuk u bë kjo në instancat e tjera. Në UNESCO ka ngec çështja për një farë kohe meqënëse ndërrohet shefi i UNESCO-s dhe më pas ata do dërgojnë një ekip për të parë ngjarjen këtu. Nuk kemi çfarë të presim më nga kjo qeveri.

Mua më duket se nuk ka asnjë pritje nga deputetët, dihet se do votohet dhe fjalia që do dëgjojmë do të jetë kjo do bëhet si do themi ne se ne e dimë se çfarë bëjmë, ne të tjerët që jemi specialist nuk e dimë çfarë bëjmë”, tha Baçe.

Deputetët në seancë parlamentare sot do të votojnë  për marrëveshjen e dhënies me koncesion të Butrintit.

Marrëveshja për Butrintin u miratua disa javë më parë në parlament, por u konsiderua antikushtetuese prej presidentit.

Në arsyetimin e dhënë, Presidenca tha se marrëveshja që kalon menaxhimin e Parkut të Butrintit te një fondacion i përbashkët i krijuar mes Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe Ministrisë së Kulturës cenon Kushtetutën, Konventën e Parisit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe nuk është në përputhje me parimet e UNESCO-s.

Ndërkohë, të martën në Komisionin e Ekonomisë, deputetët e Partisë Socialiste rrëzuan dekretin e Presidentit Meta dhe ligji do të rivotohet pa ndryshime në seancë dhe më pas hyn në fuqi automatikisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë