Elseid Hysaj po luan rregullisht me Napolin edhe është rikthyer në formën e tij të dikurshme dhe po tregon se është një lojtar që përshtatet, duke u ambientuar shumë mirë edhe në rolin e mbrojtësit të majtë, ku Gatuzo e aktivizuar gjatë këtij sezoni të ri. Megjithatë, rinovimi me skuadrën italiane, është kthyer në një “telenovelë”. Kontrata e tij me Napolin përfundon në verën e ardhshme dhe rinovimi ka ngecur për shkak të kërkesave të mbrojtësit për pagën.

Mario Giuffredi, menaxheri i Hysajt, Mario Rui e Di Lorenzos, ka folur për mikrofonët e Radio Punto Nuovo: “Napoli ka tre mbrojtës anësorë e është vështirë të gjesh më të mirë. Hysaj, që kur ka ardhur Gattuso, po bën shumë mirë. Vetëm me Ancelotti pati rënie. Rinovimi? Nuk është i lidhur me rinovimin e Gattuso. Nuk duhet të rinovojë nëse qëndron trajneri, Napoli duhet të besojë tek ai: ka dy vjet që vrapoj pas Napolit për rinovimin. Jam lodhur: tani është e drejtë që të vlerësoj propozimet që vijnë. Nëse Napoli do të bëjë propozimin e duhur, atëherë do të qëndrojë, përndryshe pas tre muajsh do të firmosë me kë të dojë”.

Sipas “Todofichajes”, një portal i njohur sportiv në Spanjë, pikërisht kjo vonesë ka shtyrë një klub me emër si Valencia që të vihet përsëri në ndjekje të futbollistit shqiptar. Hysaj i interesonte spanjollëve edhe gjatë vitit të kaluar, por si në janar, ashtu edhe gjatë verës, kërkesat e tepruara të Napolit nuk lejuan që të arrihej një marrëveshje, pasi spanjollët u tërhoqën menjëherë sapo mësuan pretendimet e napolitanëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




