Nga Gisela Troplini – “Do bëhesh meme”, do paralajmëronte në 2020-n, Arben Ahmetaj, ministër i Rindërtimit atëherë, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Drejtuar deputetit të opozitës Agron Shehaj në një debat për draftin e ri të taksave, ish-ministri nënkuptoi se të “bëhesh meme” mbetet negative, sidomos për një person politik. Gjithsesi shqetësimi nuk është shqiptar, por global. Personalitete nga SHBA-ja në Kinë janë shprehur se u frikësohen lapsuseve të tyre publike dhe jo vetëm, që mund të finalizohen në meme dhe tallje në rrjetet sociale.
Koha tregoi se memet nuk sjellin vetëm tallje. Para komentit të Ahmetaj, Shqipëria kishte provuar një protestë të tërë drejtuar nga to. Në dhjetor 2018, protesta e studentëve shqiptarë u mbush me pankarta meme-sh që shpjegonin me imazh dhe tekst të thjeshtë situatën. Kjo u pa si një formë novatore e të protestuarit, që rriti popullaritetin e protestës dhe vuri nën presion qeverinë. Sa dhe kryeministri Rama përdori të njëjtin mjet për t’iu afruar dialogut me ta.
Meme-t nuk u krijuan rastësisht në këtë protestë. Nuk qe një llambë që u ndez mbi kokat e studentëve. Faqe që postonin këtë lloj kontenti kishin javë që krijonin meme ku ndërthurej protesta dhe personazhe politike, gazetarë, artistë etj që më pas u materializuan dhe mbushën kryeqytetin.








Në prag të zgjedhjeve lokale 2023 në një monitorim pasiv nga Gazetasi.al vërehet se faqe në rrjetet sociale që servirin këtë përmbajtje, kanë ndryshuar narrativën e tyre ose e kanë intensifikuar atë në kontekstin politik. Të tjera janë rikthyer pas disa vitesh joaktive (që nga zgjedhjet e fundit). As kjo nuk është rastësore.
Profesori i komunikimit pranë Kolegji Universitar “Bedër” dhe autori Alban Tufa, thotë për Gazetasi.al se 2 javë larg zgjedhjeve lokale, qëllimi i këtyre faqeve nuk është as informimi as argëtimi, por vetëm tërheqja e vëmendjes.
“Kandidatët janë nëpër terrene dhe online, por sidomos online. Rritja e numrit të këtyre faqeve në këtë kontekst është i kuptueshëm, dhe kombinuar me morinë rrjedhës së informacionit bashkë me shpejtësinë që kjo ndodh, nevoja për të shqepur sadopak vëmendje bëhet më e domosdoshme dhe më e vështirë. Në këtë betejë për vëmendjen tonë po luhet në shumë fronte, duke nisur që nga billbordet e deri te reklamat e personalizuara në rrjete sociale. Nisur nga kjo, ndër objektivat e komunikimit një vend të madh e zë bindja, në këtë trafik informacioni këto faqe nuk janë shtuar për të na informuar e as për të na hequr mendjen nga hallet tona duke na argëtuar, por ekskluzivisht për tërhequr vëmendjen, e cila mund të bëhet qëndrim, me dëshirën finale të jetë bindje në kutinë e votës’, shpjegon Tufa.
Dhe kjo është propagandë…
“Sigurisht këto faqe apo portale, po bëjnë në mënyrë të heshtur dhe të shëmtuar atë që marrëdhënie publike quhet “miratim i palës në tretë”, teksa në realitet janë të sponsorizuara ose të orkestruara nga vetë kandidatët apo njerëzit e tyre. Në pikën finale kjo është ajo çka quhet si propagandë. Një përmbajtje e dizajnuar për qëllime të caktuara dhe shpesh herë e pandershme dhe e pavërtetë. Nuk besoj se ka njeri në botë që preferon të propagandohet me vetëdije. Politika është çështje perceptimi dhe perceptimi krijohet si ide dhe nga idetë. Nga këto materiale mediatike që prodhohen në këto faqe ato çka mbeten te audiencat janë idetë.”

Por zgjedhja e memeve si mjet propagandues duket të jetë shumë eficiente. Profesor Tufa shpjegon katër veçoritë e memeve që i bëjnë ato më përdorshme nga politika për qëllime sidomos elektorale.
-Së pari, memet janë gjysmë të vërteta dhe përmbajtje gjysmë kontekstuale ose me kontekste të zhvendosshme. Duke qenë të tilla ato janë të manipulueshme në kuptim, herë të tjera ambigue, duke i shtyrë njerëzit të mendojnë dhe të kërkojnë rreth tyre. Herë të tjera janë argëtuese, në formë të ushqyeri fast-food, e cila është lehtë e kapërdishme për një pjesë të mirë të grupeve të audiencave.
-Së dyti, është një formë e thukët komunikimi e cila nuk lyp me doemos ndonjë strategji, e aq më pak ndonjë angazhim serioz në prodhimin e përmbajtjes.
-Së treti, humori ose më saktë gjendja e një personazhi politik në humorin e gjeneruar nga memet, është pikëtakimi elegant mes dashamirësve dhe dashakeqësve të tij. Ata që e duan e shohin si një formë kënaqësie dhe përmbushjeje humorin me subjekt personazhin, ndërsa ata që nuk e duan e shohin si formë talljeje e përçmimi dhe në të dyja rastet ndodh njëfarë katarsisi.
-Së katërti, janë forma komunikimi multimedial dhe intertesktual që e bëjnë përvojën e komunikimit më tërheqëse, madje në disa raste audienca vetë pjesë-merr në prodhimin e tyre.
“Të gjitha sa përmendëm e bëjnë këtë formë komunikimi më të shpejtë, më të pranueshme, më të shpërndashme dhe më të komentueshme duke bërë që një faqe e tillë të rritet shumë shpejtë.”



Një studim i Cambridge Analytics në vitin 2018 për ndikimin e memeve në fushatë elektorale, thekson se ato kanë ndikim indirekt tek përdoruesit. Aty provohet se përdoruesit që shikojnë meme që mbështet/kundërshton të njëjtën ideologji me ta, kanë më shumë gjasa të kenë interaktivitet dhe ta shpërndajnë atë me të tjerë.
I njëjti studim thekson se përdorimi i meme-ve si retorikë e komunikimit politik më shumë se sa në imazhin që përdor, duhet të fokusohet dhe të njohë audiencën të cilës ia drejton atë meme. Duke pasur parasysh se janë grupmoshat e reja ato që targetohen në një fushatë digjitale, kandidati duhet të kuptojë ku qëndrojnë të rinjtë, pse dhe si.
Edhe profesor Tufa pohon dhe shpjegon se ekspozimi afatgjatë ndaj përmbajtjeve të tilla mund të ndikojë dhe në vendimin final, atë në fletën e votimit.
“Kjo varet nga shumë faktorë, të tillë si formimi, bindjet, pritshmëritë, dhe sidomos niveli i angazhimit me tekstin mediatik. Sa më i madh dhe sa më i gjatë angazhimi me këto tekste mediatike aq më i madh do të jetë ndikimi. Nëse një përdorues bombardohet me një përmbajtje, gjasat janë që të angazhohet në të dhe ajo të mbesë në mendjen e tij. Niveli më i madh i angazhimit është prodhimi i vogël, pra të prodhosh apo të ndash meme për një kandidat apo tjetër. Në këtë nivel, me doemos je tashmë i ndikuar, dhe mund të përfundosh në fletën e votimit. Sigurisht ky numër është i vogël, por është besnik ose më saktë i sapo bërë besnik.”
Për amerikanët, meme-t me kontekst politik fituan terren në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, ndonëse ekziston më herët. Gara midis Hillary Clinton dhe Donald Trump ishte dhurata perfekte për krijuesit e memeve.

Terri Towner, një profesor i shkencave politike në Universitetin e Oakland tregon për “Teen Vogue” se memet mund të kenë një ndikim për të rinjtë, të cilët ndryshe nuk do t’i kushtonin shumë vëmendje politikës dhe potencialisht do t’i çonin ata në votime në një numër më të madh nga sa është parë.
“Nëse memet e ndihmojnë politikën të arrijë tek të rinjtë që nuk ishin të interesuar më parë dhe t’i angazhojë ata në masën që janë më të mëdhenjtë, klima politike në Amerikë mund të ndryshojë në mënyrë drastike”, shprehet Towner.
Ai shton se kjo është arsyeja pse ne kemi parë raste të vetë politikanëve që krijojnë ose ndajnë meme. Megjithatë, nga ana tjetër, ato mund të përdoren si një formë e propagandës së rrezikshme. Trump, për shembull, ka ripërsëritur meme të shumta negative, duke përfshirë një prej tij duke “eklipsuar” ish-presidentin Barack Obama dhe një prej tij duke goditur Clinton me një shkop golfi.
Në dokumentarin dedikuar të ndjerit Jammal Khashoggi, “The Dissident”, ”një gazetar i ri me prejardhje nga Arabia Saudite dhe që jeton Kanada, ia del të sfidojë Mbretërinë Saudite në një betejë me hashtagje në rrjete sociale.
Në vitin 2020, një meme ku krahasohej presidenti kinez dhe ai amerikan me një imazh të arushit Uini Pu dhe Tigrit, bëri që arushi Pu të shpallej non-grata në Kinë.
“Nobelistja Olga Tokarcuk, në një intervistë shprehet se ne sot nuk luftojmë me topa, por me ide. Dhe nga kjo pikëpamje e gjithë bota lufton me ide duke i hedhur në tregun botëror të informacionit dhe të ideve. Parimisht kështu është e gjithë bota”, e mbyll analizën e tij profesor Tufa për Gazetasi.al.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




