Të premten në “Selman Stërmasi” luhet derbi i dytë sezonal i kryeqytetit, Partizani-Tirana. “Demat” kryesues dhe bardheblutë në krizë do të vihen edhe një herë tjetër përballë njëra tjetrës në këtë kampionat të pazakontë. Janë me dhjetëra trofetë që do të zbresin në fushën e “Selman Stërmasit” të premten ora 18:00 dhe nuk mund të flitet në asnjë moment për një ekip favorit.
Pasi Skënder Gega e fitoi derbin e parë si trajner, këtë herë është radha e Ardian Memës që të kërkojë të njëjtën gjë edhe pse Tirana e tij nuk është në lartësinë e duhur. Por pavarësisht problemeve Tirana, mbetet Tirana dhe trajneri Mema në konferencën e zakonshme për shtyp ka deklaruar se edhe kjo sfidë me Partizanin vlen si gjithë të tjerët, tre pikë. Mema në fjalën e tij nënvizoi se në ndeshje të tilla, futbollistët nuk kanë nevojë për motivim ekstra.
“E thashë këtë kur erdha si trajner, sepse doja të jepja një mesazh për lojtarët. Dua të bëj ndeshje të forta, si derbi me Partizanin, kjo ishte motoja e asaj deklarate. Është një përplasje me histori të madhe dhe përcjell mesazh te lojtarët. Edhe kur kam qenë futbollist, i doja ndeshjet e forta. Çdo gjë varet nga futbollistët, por edhe nga unë. Bashkë me lojtarët e shohim si ndeshje radhe, vlen tri pikë, edhe pse ka peshën e vet. Lojtarët duhet t’i bëjnë mirë detyrat. Karikimi për këtë ndeshje është maksimal, kjo dihet. Por, të mos ngarkohemi më shumë se duhet: tri pikë vlen Partizani, si çdo ekip tjetër.”- u shpreh Mema.
Lidhur me prezencën e tifozëve në stadium, për Ardian Memën ata janë një spektakël më shumë në një ndeshje të tillë.
“Që kur lashë futbollin, tifozët kanë dhënë spektakël. Më shumë ka pasur spektakël në shkallët e stadiumit se në fushë. Ata kanë luajtur më mirë se lojtarët. Shpresojmë të ndodhë e kundërta, domethene që spektakli këtë herë të jetë në fushë”, tha tekniku bardheblu.
Formacionin ende nuk e ka përcaktuar, por trajneri bardheblu thotë se nuk do të ketë ndryshime të mëdha nga ndeshja e fundit.
“Mendoj se e kam kristalizuar në kokën time. Do të ketë ndryshime të vogla. Mbrojtja do të jetë e njëjta, mund të lëvizim diçka gjatë lojës. Duhet të tregojmë vigjilencë në këtë repart, sepse golin ndaj Skënderbeut e pësuam nga goditja standarde. Në fakt, në atë rast ishte vendosje jo e mirë e gjithë grupit.”- tha numri një i stolit bardheblu.
Nisur nga problemet që ka Partizani dhe nevoja emergjente që Tirana ka për pikë, Ardian Mema është i mendimit se Tirana duhet të futet vetëm me mendjen tek tre pikët në këtë përballje.

“Në futboll, çdo lojtar ka peshën e vet. Hoxha është një ndër portierët më të mirë. Natyrisht, Partizanit do t’i mungojë një titullar si ai. Ne duhet të bëjmë punë tonë. Duhet të veprojmë mirë para portës së Partizanit, qoftë me Albanin, apo me atë tjetrin. Nuk ka trajner, që do nga ekipi të mos luajë mirë. Në fakt, ne kemi luajtur mirë, por kaq nuk mjafton. Futbolli flet me rezultate. Po presim fitoret, unë dhe futbollistët. U bë kohë e gjatë pa fituar. Do të ishte kënaqësi po ta gjejmë fitoren në derbi.”- ka thënë ndër të tjera në konferencën e zakonshme për shtyp trajneri i Tiranës, Ardian Mema.
Tirana momentalisht ndodhet në vendin e tetë, me 11 pikë, ndërsa “demat” kryesojnë Superioren, me 31 pikë, vetëm një më shumë se Skënderbeu i vendit të dytë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




