Në javët e fundit Tirana është futur në një krizë që duket se po prish atë formë të mirë që kryeqytetasit patën në muajit e parë në vitin 2019. Ndeshja me Flamurtarin pritet të jetë shumë vendimtare për objektivat e Tiranës për të siguruar mbijetesën. Trajneri i Tiranës, Ardian Mema në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të kësaj ndeshje u shpreh se përballja me ekipin vlonjat ka për të qenë e fortë pavarësisht largimeve që ka pasur në muajt e fundit. Tekniku bardheblu tha se do të kërkojë të fitojë këtë ndeshje edhe për të larguar presionin nga ekipi i tij, pasi kur nuk ka presion pikësh edhe lojtarët janë më të lirshëm.
“Flamurtari ka pasur largime. Janë ekip i mirë dhe kanë trajner shumë të mirë, që di të përgatitë mirë ndeshjet. Me ta kemi pasur rezultate të barabarta. Do mundohemi të kemi ekuilibër, që të mos pësojmë. Do kërkojmë të shënojmë. Jemi klubi që i pranojmë të tria rezultat. Duhet kujdes dhe qetësi. Shpresojmë të marrim rezultat pozitiv. Lojtarët kanë pasur pak tension, pasi për pak na rrëshqiti këmbë ndeshjen e fundit. Duhet të punoj në aspektin psikologjik më së shumti. Kur i ke pikët dhe nuk rrezikon, je më lirshëm se kundërshtari. Tensioni tek ekipi që nuk është mirë në pozicion, edhe kur ka diferencë në cilësi, ndikon negativisht. Nuk kemi çfarë humbin, duhet të bëjmë detyrën tonë në çdo lloj ndeshje”.

Ardian Mema tha se grupi i Tiranës do të jetë i plotë për ndeshjen në Vlorë dhe se do të punojë që të përforcojë repartin difensiv për të mos pësuar siç ka ndodhur në tre ndeshjet e fundit. “Futbolli i tillë është, ka edhe dëmtime e kartonë. I gjithë grupi do jetë gati, veç Dajës që është me kartonë. I gjithë ekipi është për ndeshjen me Flamurtarin. Na ka gabuar dy herë Kërçiku. Ai është me shumë eksperiencë dhe nuk ishte e nevojshme të bënte ata ndërhyrje, te të dyja ndeshjet. Morëm edhe topa pas shpine, jo vetëm nga qendra, por edhe nga krahët. Tani jemi të plotë. Te ne duhet të ketë përgjegjshmëri të lartë. Ua kam thënë, ne kemi pikëte nevojshme, jo spektaklin”.
Duke iu rikthyer edhe njëherë ndeshjes me Laçin, për Kupën e Shqipërisë, Mema tha se nuk i pëlqeu se si luajti ekipi i tij dhe se duhet të përmirësohet në administrimin e rezultatit “Me Laçin ekipi nuk më pëlqeu si luajti. Ndoshta vuajti presionin dhe doli jashtë detyrave. Kemi qenë gjithë kohën ne duke luajtur topin. Ishte një moment jo i mirë. Ekipi ka një mënyrë loje, sidomos me topin. Atë ditë ishte ndryshe. Administrimi i rezultatit solli çrregullimin e lojës tonë. Ekipi nuk ishte mirë atë ditë. Pjesa më e madhe e lojtarëve nuk ishin të përqendruar. Disa lojtarë bënë faulle e gabime. Gjithsesi të shohim përpara, kemi ndeshje të rëndësishme dhe medoemos duhet përqendrim për të marrë pikët. Na duhen pikët, jo lojërat e bukura. Rezultatet të ngjitin sipër dhe të japin qetësi”.
Në fjalën e tij trajneri i Tiranës një vëmendje të veçantë i kushtoi aleancave në këtë pikë të kampionatit. Edhe pse i druhet aleancave të fshehta, sërish Mema tha se nuk duhen krijuar skenarë imagjinar, por ekipi duhet të jetë i fokusuar në fushë dhe të jap gjithmonë maksimumin. Ai bëri thirrje që mos të shikohen rezultatet e ekipeve të tjera, por që Tirana të marrë më të mirën nga ndeshjet e saj.

“Ndoshta këto konfliktet pas ndeshjes kanë ndikuar. Por atmosfera në Laç ishte e qetë. Duhet ta gjej te vetja. Nuk dua të krijoj skenarë kot. Jam trajner dhe i përkas fushës, jo grushteve apo skenarëve që ndodhin në Shqipëri. Më shqetësojnë aleancat. Në vazhdim mund të ketë aleanca që mund të dëmtojnë Tiranën. Duhet të punoj me ekipin për të menaxhuar ndeshjet. Ky ekip mund t’i kthehet lojërave e rezultateve. Problemin e parë na e shkaktoi Kruja, me probleme që media i raportoi. Ekipin duhet ta mbaj të përqendruar, nën vëzhgim, në mënyrë që të mos kemi problemet e ndeshjeve të fundit. Duhet të luftojmë të marrim sërish rezultatet e fazës së tretë, ku mundëm edhe ekipet e kreut. Pati një moment që ishim të qetë, edhe unë. E shikoja se ekipi kishte mundësi të përballje me kudo. Edhe nëse nuk e kam qetësinë e duhur, do ta gjej. Në Fushë-Krujë u shqetësuam disi që kur ndryshoi fusha. Laçi luajti në fushë asnjanëse me ta. Nuk më duket e drejtë që u lejua. Kjo na shqetëson disi, ajo për pjesën e aleancave. Do gjej qetësinë e duhur, nuk dua t’i transmetoje energji negative lojtarëve të mi. Duhet të jemi të karikuar dhe t’i shohim gjërat te vetja. Të gjithë jetojmë me shpresë për të realizuar objektivat tona. Kukësi mund të fitojë dhe të humbasë nesër. Shpresoj të bëjë mirë punët për veten e vet. Ne shohim pjesën tonë, nuk shohim të tjerët. Llogari bëhen për të gjitha ndeshjet. Nëse do ketë ngjarje si na ndodhi ne, do i bëjë dëm futbollit. Ne na vë pak në vështirësi. Ky ekip ka mundësi të rikthehet”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




