Gazeta Si – Administratori i skuderisë angleze ka dalë hapur kundër sinergjisë mes skuadrave që kanë pronar të njëjtën kompani. “Jam i shqetësuar, gjëra të kësaj natyre nuk pranohen në asnjë lloj sporti tjetër”, ka thënë ai.
Pas hapit të madh të bërë në Botërorin 2023, MekLaren është një nga skuadrat me pritshmëri më të mëdha për sezonin e ri të Formula 1. Skuderia nga Uoking ka zbuluar e para makinën e re MCL38, që synon të rivalizojë me Red Bull-in e mbretit Maks Vershtapen.
Ka një ndeshje, që në pritje të starit të sezonit, ka nisur tashmë në tavolinë nga administratori i deleguar, Zak Braun. Ai është kundër aleancës teknike dhe strategjike mes Red Bull Racing dhe skuderisë AlphaTauri.

Dy skuadrat, edhe pse me seli dhe menaxhim autonom, janë faktikisht pjesë e të njëjtit grup industrial, atij austriak që prodhon pije energjike. Dhe nuk është sekret, që për vullnetin e drejtuesve të njëjtë, në 2024-ën raportet të jenë edhe më të ngushta.
Është parashikuar për shembull trasferimi i disa funskioneve të selisë AlphaTauri tek ajo e Red Bull-it. Aleancë më solide se në të kaluarën, që mund të shkojë përtej përdorimit ‘të thjeshtë’ të skuadrës B si palestër për talentet e reja të Red Bull Junior Team, që drejtohet nga Helmut Marko.
“Jam i shqetësuar, – tha Braun, – nga kjo aleancë AlphaTauri-Red Bull. Është një skuadër A dhe një B, por pronësia është e njëjtë dhe kështu raporti është në një nivel tjetër. Për ne është shqetësuese, sepse ndikon në shëndetin dhe korrektësinë e ambientit tonë. Gjëra të tilla nuk lejohen në sportet e tjera kryesore. Do më pëlqente që edhe në F.1 të ndërhyhej në këtë aspekt.
Rregulloret që tregojnë se çfarë lejohet dhe çfarë jo, duhet të ndryshojnë, sepse janë bërë në një periudhë, kur nuk ishte ‘budget cap’. Në atë kohë objektivi ishte për të ndihmuar skuadrat e vogla, sepse diferenca mes Mercedesit dhe një skuadre poshtë në klasifikim ishte shumë e madhe. Tani disa rregulla nuk janë më të nevojshme, përkundrazi, përfitojnë ata që kanë një skuadër A dhe një B. F.1 ka nevojë që në pistë të jenë 10 skuadra të pavarura”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.