Muzike

Megjithë zhgënjimin e parë, Ermonela Jaho do të vijë sërish në Opera për masterclas. Por këtë herë studentët nuk do të paguajnë

Nga Gazeta Si - Sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho, do të kthehet sërish në tetor në Teatrin e Operës dhe Baletit për të mbajtur masterclass (klasa ku ajo jep eksperiencën e vet studentëve dhe pedagogëve rreth interpretimit skenik, teknikës vokale, trajnimeve specifike të stilit) për të rinjtë nga data 2 deri më 5 tetor.

Ardhjen e Jahos në Tiranë e ka bërë me dije Teatri i Operës dhe Baletit, ku ndër të tjera institucioni shprehet se ky masterclass do të ofrohet plotësisht pa pagesë për artistët e rinj.

“Teatri i Operës dhe Baletit hap Thirrjen e Tretë për Masterclass- Bashkëpunues, në programin profesional muzikor ‘Akademia Teatrale’, që synon evidentimin, promovimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në disiplinën lirike. Nën kujdesin e veçantë dhe mjeshtëror të sopranos ikonike, Ermonela Jaho, e cila hodhi gurin e parë të themelit të këtij programi, nga data 2–5 tetor, artistët e rinj të moshës 18-30 vjeç, do të kenë mundësinë të trajnohen plotësisht PA PAGESË, rreth teknikës fizike të këndimit, asaj të interpretimit e këndimit, përgatitjes psikologjke të repertorit dhe ndërtimit të një roli”, thuhet në njoftimin e TKOB.

Posteri nga TKOB

Artistja që mbretëron skenat ndërkombëtare të Operas, sopranoja shqiptare Ermonela Jaho, ishte edhe në prill në Teatrin e Operas në Tiranë për Akademinë Teatrale, por ndonëse emri i saj mbush sallat e shfaqjeve e masterklaseve kudo, në Shqipëri ajo u zhgënjye.

Vetëm 12 artistë të rinj (11 prej tyre të huaj) do të bëheshin pjesë e masterclassit me Ermonela Jahon.

Ajo që vihet re në masterclasin e radhës me sopranon Ermonela Jaho është trajnimi pa pagesë.

Në prill në masterclasin e parë me Ermonela Jahon për pjesëmarrësit në Akademinë Teatrale, pagesa ditore ishte 50 euro dhe 25 euro për dëgjuesit, ndërsa për studentët ka pasur 20% zbritje, pagesë e cila sipas artistëve të ndryshëm mund të ishte një faktor për mungesën e pjesëmarrjes.

“Jam aq e ngarkuar dhe prandaj kam kaq shumë për të thënë. Mendoj që kjo është një lloj egoizmi ndoshta, unë këtë e kam provuar para 30 vitesh, por më duket se është akoma edhe sot. Një pedagog nuk të jep dot 100%. Studentët ndoshta mungojnë se nuk i lënë pedagogët”, do të shprehej ndër të tjera sopranoja Ermonela Jaho për eksperiencën e këtij viti në Akademinë Teatrale në Shqipëri.

Pas deklaratës së sopranos Ermonela Jaho se erdhi për masterclass, por nuk gjeti as studentë as pedagogë, pati reagime nga artistë të ndryshëm, të cilët e konsideruan rastin në fjalë dëshpërues.

Për masterclasin e radhës në tetor me sopranon Ermonela Jaho, institucioni i Operës thotë se aplikimet do të qëndrojnë të hapura deri më datë 25 shtator dhe janë të lirë të gjithë të rinjtë që i janë futur botës së artit për të aplikuar.

“Aplikimet do të qëndrojnë të hapura deri më datë 25 shtator, për gjithkënd që e ndjen veten të vendosur teknikisht dhe do të përforcojë aftësitë e tyre, nëpërmjet metodave të reja. Mjafton të dërgoni CV-në, video me performancën tuaj, materialin me të cilin doni të punoni dhe formularin e aplikimit (të cilin e gjeni në website-in zyrtar të TKOB-së) në email-in [email protected]”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e TKOB.

Ky vit ishte viti i parë që u krijua Akademia Teatrale në Shqipëri, por Opera synon që ta kthejë në traditë, ndërsa masterclasset janë bërë edhe më herët nga sopranoja Ermonela Jaho në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë