Gazeta Si - Pesë anëtarë të tjerë të grupeve të rrezikshme kriminale të goditura nga megaoperacioni i SPAK me 50 urdhër arreste, kanë dalë këtë të hënë para Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
GJKKO konfirmoi masën “arrest në burg” për 5 prej tyre: Emiljano Shullazi, Besian Xhixha, Enver Diva, Gjergj Cukali dhe Albert Zaja.
Fillimisht. seanca për Emiljano Shullazin u shty në orën 14:00, ku edhe ndaj tij u caktua masa “arrest me burg”.
“Gjykata, me vendimin nr.52, dt.20.05.2024 vendosi vazhdimin e masës së sigurimit arrest në burg (E. Shullazi)”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Një ditë më parë GJKKO, vendosi të lërë në burg 9 të arrestuar: Naim Stafuka, Armando Ndreca, Robert Laçi, Viktor Imeraj, Satilno Basho, Deivis Bajramaj, Drianto Bardhi, Miri Bruli dhe Blerim Abazi.
Mbi 4,5 milionë euro pasuri janë sekuestruar nga megaoperacioni i SPAK në kuadër të 4 procedimeve penale, ku janë evidentuar kryerja e veprave penale të rënda nga 7 grupe të strukturuara kriminale me fuqi të konsiderueshme dhe me shtrirje gjeografike të aktivitetit të tyre kriminal në disa nga qytetet kryesore të vendit.
SPAK ka nxjerrë 50 urdhër-arreste, nga të cilat janë ekzekutuar 14 në Shqipëri, ndërsa 6 janë ekzekutuar jashtë vendit.
Në përgjimet e SPAK, kanë dalë bisedat mes të arrestuarve qe u përkasin grupeve kriminale ku komunikojnë për nxjerrjen në pritë apo kryerjen e atentateve. Vetëm këto përgjime janë 20 fashikuj.
Nga 50 urdhër arreste në total, 14 prej tyre janë ekzekutuar në vendin tonë, ndërsa 6 të tjera jashtë shtetit, konkretisht 2 në Itali, 1 në Gjermani, 1 në Spanjë dhe 2 në Belgjikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.