Gazeta Si – Ylli i futbollit amerikan për femra, Megan Rapinoe, i ka dhënë lamtumirën kombëtares në moshën 38-vjeçare. Kampione olimpike dhe dy herë kampione bote, ajo luajti dhe fitoi ndeshjen e fundit me SHBA-të, një miqësore me Afrikën e Jugut, që përfundoi 2-0.
Rapinoe la fushën në minutën e 9-të të pjesës së dytë mes duartrokitjesh. Ajo ka mbyllur një karrierë më shumë se 17-vjeçare me kombëtaren amerikane, me 203 ndeshje të luajtura dhe 63 gola të shënuar.

Sulmuesja ka qenë një figurë e spikatur e futbollit botëror të femrave, por e impenjuar veçanërisht në kauzën e të drejtave të komunitetit LGBT+. Rapinoe do ta mbyllë përfundimisht karrierën në nëntor, në fund të sezonit të rregullt të kampionatit në SHBA, ku luan me fanellën e OL Reign.
Lojtarja e vitit FIFA 2019, gushtin që shkoi u eliminua nga Suedia në 1/8-at e Kupës së Botës në Australi dhe Zelandë të Re. Ka fituar turneun olimpik me SHBA-të Olimpiadën e Londrës në 2012-ën dhe pastaj Kupën e Botës në 2015-ën dhe 2019-ën.

“Jam e lumtur që kam luajtur kaq gjatë, me lojtare të mrekullueshme dhe që kam pasur sukses edhe jashtë fushës”, – ka thënë Rapinoe në momentin e lamtumirës nga kombëtarja. Mes betejave që ajo ka kontribuuar me sukses është edhe ajo për barazinë në trajtimin financiar mes meshkujve dhe femrave brenda kombëtares amerikane.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




