Gazeta Si – Pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 8.8 të regjistruar në brigjet e Kamçatkës, Rusi, është lëshuar një paralajmërim për cunami në disa vende të Paqësorit.
Rusia, Japonia, Hawaii, Alaska dhe Guami janë vënë në gatishmëri të lartë për mbërritjen e mundshme të valëve të cunamit.
Paralajmërimet shtrihen edhe në vende të tjera të Paqësorit. Nga Mikronezia në Polinezinë Franceze, nga Filipinet në Zelandën e Re dhe madje edhe në brigjet e Ekuadorit dhe Kilit, shumë vende kanë aktivizuar sistemet e mbikëqyrjes dhe janë përgatitur për të evakuuar zonat e ndjeshme.
Autoritetet rekomandojnë shmangien e brigjeve dhe ndjekjen e përditësimeve zyrtare.
Rusia: Kamchatka ishte rajoni i parë që mori një paralajmërim për cunami. Valë prej 3-4 metrash u regjistruan në rrethin e Yelizovos, ndërsa përmbytje të lokalizuara ndodhën në Sakhalin, veçanërisht në Severo-Kurilsk.
Ministria Ruse e Emergjencave urdhëroi evakuimin e zonave bregdetare, duke i nxitur banorët të arrijnë lartësi prej 30-40 metrash ose të largohen 2-3 km nga bregu.
Japonia: Japonia ka lëshuar një paralajmërim për cunami për bregdetin lindor, nga Hokkaido në Wakayama.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë ka parashikuar valë deri në 3 metra, me valët e para, rreth 30 cm, të regjistruara në Nemuro-Hanasaki.
Qytete të tilla si Kamaishi dhe Ishinomaki, të prekura tashmë në vitin 2011, kanë aktivizuar planet e evakuimit. NHK ka transmetuar buletine shumëgjuhëshe, duke rekomanduar shmangien e brigjeve dhe grykëderdhjeve të lumenjve.
Hawaii: Ishujt Havai kanë marrë një paralajmërim për cunami. Qendra e Paralajmërimit për Cunami në Paqësor ka parashikuar dëme të mundshme përgjatë gjithë bregdetit Havai, duke bërë që Departamenti i Menaxhimit të Emergjencave të Oahu të urdhërojë evakuimin e Honolulu dhe zonave të tjera bregdetare.
Kujtimet e cunamit të vitit 1952, të shkaktuar nga një tërmet në Kamchatka, kanë përshpejtuar masat e sigurisë.
Alaska: Një paralajmërim për cunami është lëshuar për Ishujt Aleutian, duke u përqendruar në Shemya dhe Adak. Banorët janë këshilluar të shmangin zonat bregdetare.
Bregu Perëndimor I SHBA-ve – Një paralajmërim për cunami është lëshuar për shtetet e Kalifornisë, Oregonit dhe Uashingtonit.
Në Kaliforni, Qarku Monterey ka parashikuar valë më pak se një metër. Zona të tilla si Gjiri i San Franciskos dhe Lumi Kolumbia janë nën vëzhgim për cunami. Shërbimi Kombëtar i Motit ka rekomanduar shmangien e bregdetit.
Guam: Ishulli i Guamit, një territor i SHBA-së, është vendosur nën paralajmërim për cunami. Autoritetet u kanë kërkuar banorëve të shmangin zonat bregdetare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




