Hije skandali mbi UEFA-n, “qeverinë” e futbollit europian. Dokumentet e fundit të “Football Leaks”, të shpërndara nga “Mediapart”, kanë zbuluar fakte tronditëse dhe kanë ngritur dyshime të forta në lidhje me respektimin e rregullave të “Fair Play”-it financiar nga dy klubet e mëdha eurpoiane, Paris Saint-Germain dhe Mançester Siti.
Kontrata sponsorizimesh të kohëve të mëparshme, raporte analistësh dhe ekspertësh të injoruara, organe kontrolli të mashtruara: dokumentet e publikuara së fundi kompromomentojnë UEFA-n, veçanërisht në raportin e saj me PSG-në. Protagonistë të këtij megaskandali, që i ka lejuar dy klubet ta kalojnë çështjen e “Fair Play”-it financiar me sanksione minimale, janë ish-presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, por më shumë presidenti aktual i FIFA-s dhe në atë kohë sekretar i përgjithshëm i UEFA-s, Xhani Infantino. Flitet për veprime në shuma të jashtëzakonshme. Katari ka derdhur në kasat e PSG-së 1.8 miliardë euro në mënyrë jo korrekte.
Janë zbuluar nga hetimi i “Der Spiegel” dokumente dhe e-mail-e kompromentuese të periudhës 2014-2016 sa u takon tratativave të PSG-së me UEFA-n në rrugë private për të manipuluar normat e parashikuara nga “Fair Play”-i financiar. Tratativat janë bërë nga numri 1 i PSG-së, Naser Al-Khelaifi dhe krahu i tij i djathtë, ish-administratori i deleguar i Juventusit, Zhan Klod Blank. Janë publikuar dokumente konfidenciale, e-mail-e, traskriptime bisedash, ku është evident qëllimi i UEFA-s për të ndihmuar PSG-në dhe Mançester Sitin në sanksionet e “Fair Play”-it, që duhej të ishin deri në përjashtimin nga Kupat e Europës.
Sipas dokumenteve të shpërndara nga “Mediapart” në Francë, ka pasur presion mbi Platininë nga ana e PSG-së për ta çuar shumën që duhej paguar nga 60 milionë euro në 20 milionë euro. E njëjta shifër edhe për Mançester Sitin. Jo vetëm kaq, pasi Infantino ka pranuar që PSG-ja të fuste në llogari edhe sponsorizime të kontratës me “Qatar Tourism Authority” për sezonin 2013-2014, siç ka bërë edhe Mançester Siti.
Gjithashtu, nga faktet e zbuluara së fundi ka dyshime të forta se UEFA ka paguar klubet më të mëdha europiane për të penguar krijimin e Superlegës. Ky kompeticion do të ishte një “kërcënim” jo vetëm për Champions League dhe Europa League, por edhe për kampionatet e vendeve të ndryshme. Reali i Madridit, Barcelona, Mançester Junajtid, Mançester Siti, Liverpuli, Bajerni i Mynihut, Juventusi dhe Milani thuajse ia dolën të krijonin Superligën, por në atë kohë UEFA ka ndërhyrë duke i paguar “big”-ët europianë. Pritet që të zbulohen të tjera fakte dhe shkelje të organizmit që kontrollon futbollin europian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.