Gazeta Si – Një mega ofertë ka ardhur për Kristiano Ronaldon nga një klub i Lindjes së Mesme, por ylli portugez e ka refuzuar atë. Sipas ‘Cnn Portugal’, propozimi ka qenë faraonik, kontratë 250 milionë euro për 2 vjet dhe 30 milionë për Mançester Junajtid.
Arabia Saudite ritenton Kristiano Ronaldon. Një vit më parë ai refuzoi të bëhej ‘testimonial’, kurse tani ai ka marrë një mega ofertë nga një klub, emri i të cilit nuk bëhet i ditur.

Në këtë rast, Mançester Junajtid do të përfitonte 30 milionë euro, nëse do të lironte Ronaldon. Futbollisti do të firmoste një kontratë 2-vjeçare për 250 milionë euro, ndërsa 25 milionë është komisioni i agjentit të tij, Mendes.
Ronaldo në fillim të korrikut i ka kërkuar Mançester Junajtid ta linte të largohej, nëse do të vinte një ofertë e kënaqshme. Ai nuk shkoi në grumbullimin e skuadrës për arsye personale dhe nuk do të niset për turin para sezonit të klubit në Tajlandë.
Drejtuesit e Junajtid po përpiqen ta bindin, trajneri i ri Erik ten Hag ka thënë në një konferencë shtypi në Bangkok se portugezi është në planet e tij për sezonin e ri.
“Mezi pres të punoj me të, – ka thënë trajneri holandez. – Kam lexuar shumë lajme, por ajo që mund të them është se Kristiano nuk është në shitje. Është në planet tona dhe duam të fitojmë së bashku”.
Për shtypin portugez, kjo mega ofertë e ardhur së fundi është refuzuar nga CR7. Sipas atyre që i qëndrojnë pranë, Ronaldo ka në plan të luajë edhe një sezon tjetër në një ‘top club’ në Europë, para se të bëjë një zgjedhje tjetër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




