Bota

Medvedev nuk ndalet: Ukraina është Rusi! (rivizaton hartën e Europës me kufij të rinj)

Gazeta Si – Ukraina “i përket Rusisë dhe është Rusi”; “Për sa kohë që Volodymyr Zelensky është në pushtet, negociatat e paqes midis Moskës dhe Kievit nuk do të jenë të mundshme”; “Kërcënimi bërthamor dhe kriza midis Moskës dhe Uashingtonit, janë më serioze se në vitin 1962” (kur Bashkimi Sovjetik po instalonte armë atomike në Kubë, në gjendje për të shkaktuar masakra në Shtetet e Bashkuara, pika më e ulët – dhe më e rrezikshme – e Luftës së Ftohtë).

Këto janë deklaratat e fundit – njëra më me peshë se tjetra – të lëshuara nga Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurimit Rus, si dhe një nga aleatët më të ngushtë të Vladimir Putinit (i cili e zgjodhi atë si lider të partisë së tij , Rusia e Bashkuar).

Medvedev tregoi gjithashtu një hartë gjeografike me kufijtë e rinj (të rivizatuar prej tij): Ukraina, siç mund të shihet, praktikisht nuk do të ekzistonte më.

Një pjesë e madhe e territorit do të bëhej rus, një pjesë minoritare do të ishte polake, një tjetër rumune.

Mesazhi i fundit i Kremlinit nuk lë vend për interpretim: Ukraina (në mendjen e Putinit, ose të paktën në mendjen e Medvedevit) nuk do të ekzistojë më.

Medvedev, i mësuar me deklarata veçanërisht të forta, mbajti një fjalim shumë luftarak në jug të vendit, duke folur në një skenë përballë një harte të rivizatuar të Evropës: territori ukrainas (jo vetëm rajonet tashmë të pushtuara si Krimea dhe Donbasi), janë shënuar si pjesë të “Rusisë së Madhe”, pjesë e së cilës do të ishte edhe Transnistria, enklava e shkëputur e Moldavisë.

“Një nga ish-udhëheqësit ukrainas, tha në një moment se Ukraina nuk është Rusi”, por “ky koncept duhet të zhduket përgjithmonë. Ukraina është padyshim Rusi”, tha Medvedev, duke u duartrokitur nga audienca.

“Situata aktuale midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara është më e keqe se ajo e vitit 1962 gjatë krizës së raketave Kubane, kur dy superfuqitë iu afruan rrezikshëm një konfrontimi bërthamor”, – vijoi Medvedev, i cituar nga agjencia e lajmeve “Ria Novosti”, evokoi edhe një herë rrezikun e luftës bërthamore.

“Kërcënimi kryesor tani është ai i një konflikti bërthamor, pavarësisht sa i parëndësishëm mund të duket. Dhe ky kërcënim është njëqind herë më i rëndë se në vitin 1962 gjatë krizës së raketave kubane”, tha Medvedev, duke kujtuar se në atë kohë Rusia nuk ishte në luftë me Shtetet e Bashkuara dhe se të dy palët thjesht po përpiqeshin të vlerësonin aftësitë e tyre.

Tani, megjithatë, “ata po luftojnë kundër nesh. Shikoni çfarë po ndodh”.

Së fundmi, numri dy i Këshillit të Sigurimit rus, deklaroi gjithashtu se negociatat midis Moskës dhe autoriteteve aktuale ukrainase nuk janë të mundshme, por vetëm me “disa njerëz të rinj” nëse ata “e njohin realitetin që është zhvilluar në terren”. Forcat ruse aktualisht kontrollojnë në mënyrë efektive pak më pak se një të pestën e territorit ukrainas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë