Gazeta Si – Pas heqjes së pezullimit për tenistët nga Rusia dhe Bjellorusia, ish-numri 1 dhe kampionia e Australian Open janë rikthyer në Londër.
Ideja është për të luajtur tenis në Slam-in më të rëndësishëm. Pjesa tjetër le të mbetet jashtë. “Unë jam për paqen”, – thotë Danil Medvedev, kokë serie numër 4 në tabelën e meshkujve.
“Nuk dua të flas për politikë dhe dua ta respektoni vendimin tim”, – është shprehur Arina Sabalenka, numri 2 në turneun e femrave. Do të ishte më e lehtë, nëse flamujt e Rusisë dhe Bjellorusisë nuk do të mungonin në të gjitha komunikimet zyrtare të Uimbëlldonit, duke përfshirë edhe biografinë e dy sportistëve, nëse dy vendet nuk do ishin përjashtuar nga Church Road.
Do të ishte më e lehtë, nëse vitin e kaluar ata do të ishin në barin londinez dhe nuk do të ishin detyruar ta shihnin turneun nga shtëpia, për shkak të vendimit të All England Club për të lënë jashtë tenistët rusë dhe bjellorusë si reagim ndaj pushtimit të Ukrainës.
Sabalenka sot niset nga ‘Big Three’ që synojnë trofeun. Ajo kujton zhgënjimin e mungesës së vitit të kaluar. “Nuk pashë ndeshje të Uimbëlldonit as në televizor, – thotë sportistja nga Minsku. – Sa herë ndërroja kanal, më dilte përpara një ndeshje dhe filloja të qaja. Ishte e vështirë”.
Medvedev, 27-vjeçari nga Moska, në barin e Church Road nuk ka shkuar kurrë më shumë se turi i 4-t. “Më ka munguar, – ka thënë rusi. – Isha i zhgënjyer, por ndoqa rregullat dhe si gjithmonë u përpoqa të shoh aspektin pozitiv. Kalova kohë me familjen dhe pushova”.
Nuk do të ketë flamujt e tyre, por këtë vit Sabalenka dhe Medvedev janë dy simbolet e kontingjentit të sportistëve nga Rusia dhe Bjellorusia që ripranohen në Uimbëlldon si neutralë. Të dy ndihen simbole të një beteje politike që nuk është e tyre. Ata kanë ambicien të bien në sy në këtë turne, duke ëndërruar fitimin e tij.
“E di që Uimbëlldoni ka një pozicion të prerë për luftën në Ukrainë, por unë jam këtu vetëm për të luajtur tenis. Jam i kënaqur që mund ta bëj këtë, – ka thënë rusi. – Nuk e di si do reagojnë tifozët, do ta shoh kur të jem në fushë, por shpresa ime është që të luaj tenis të mirë dhe të qëndroj sa më gjatë këtu”.
“Nuk e kam idenë si do reagojnë tifozët, – shton Sabalenka, që herën e fundit që ishte në Uimbëlldon, në 2021-shin, shkoi deri në gjysmëfinale. – Unë mendoj vetëm për tenisin dhe gjëja më e mirë që mund të bëj është të përnqendrohem aty”.
Sabalenka do të ketë dy rivale të forta në këtë rune, polaken Iga Shviatek dhe kazaken Elena Ribakina. Medvedev te meshkujt duhet të bëjë llogaritë me një Novak Gjokoviç super favorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.