Drejtësia

Mediu vizitë në SHBA, shtyhet seanca në GJKKO për Gërdecin! Prokurori i SPAK: Mungesë e pajustifikuar

Gazeta Si- Shtyhet për në datë 7 prill seanca gjyqësore në GJKKO në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu mbi tragjedinë e Gërdecit, ku 26 persona humbën jetën si pasojë e shpërthimit të fabrikës së demontimit të armëve.

Shkak për shtyrjen e seancës u bë mungesa e Mediut për shkak të një ftese që i ishte bërë për të qenë i pranishëm në Kongresin Amerikan. Sipas burimeve paraprake, prokurori i SPAK, Klodian Braho e quajti “të pajustifikuar mungesën” e ish-ministrit.

Ndërsa gjyqtarja Irena Gjoka, vendosi shtyrjen e seancës duke i tërhequr vëmendjen avokatëve mbrojtës të Mediut, i cili nga data 24 mars deri më 1 prill është i ftuar në Kongresin e SHBA.

Ndërsa kjo është e dyta herë radhazi që seanca në GJKKO shtyhet për shkak se Mediu ndodhet në SHBA.

Zamira Durda, nëna e një 7 vjeçari që humbi jetën si pasojë e shpërthimit u shpreh për mediat se procesi po zvarritet dhe se ende nuk ka gjetur drejtësi edhe pas 17 vitesh.

Në seancat e fundit, Mediu vijon të kundërshtojë gjetjet e ekspertëve ushtarakë në lidhje me masat që do duhej të merreshin për demontimin e municioneve në Gërdec.

Akt-ekspertimi në atë kohë tregon se shtetit iu shkaktua një dëm prej 59 mln Lekësh, pasi nuk ishte përllogaritur transporti i municioneve. Nga shpërthimi në Gërdec më 15 Mars 2008 humbën jetën të paktën 26 persona e u plagosën qindra të tjerë.

SPAK thotë se Mediu shpërdoroi detyrën me nxjerrjen e disa akteve nënligjore që kanë sjell avantazhe për shoqëritë private që do kryenin demontimin. Vetë ish-ministri i ka mohuar të gjitha akuzat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë