Drejtësia

Mediu rikthehet në GJKKO për ‘Gërdecin’ dhe kundërshton ekspertizën: Nuk isha përgjegjës për transportin e municioneve

Gazeta – Pas disa seancash mungesë, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu u rikthye në GJKKO, ku po përballet me drejtësinë si i pandehur në çështjen “Gërdeci”.

Edhe këtë të premte, ai ka kundërshtuar përpara Gjykatës së Posaçme përfundimet e akt-ekspertimit tekniko-ushtarak të paraqitura nga grupi i ekspertëve.

Në seancën gjyqësore, Mediu theksoi se urdhrat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë janë të qarta dhe tregojnë se transporti i municioneve nuk ishte përgjegjësi e Ministrit të Mbrojtjes.

Sipas tij, në raste të mëparshme, këto operacione janë kryer nga Forcat e Armatosura, pa përfshirë vendimmarrje politike në aspektin teknik.

“Sipas ligjit për buxhetin, fondet e dhëna nga donatorët për procesin e demontimit konsiderohen pjesë e buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes, pavarësisht nëse janë grante apo kredi,” – u shpreh Mediu, duke theksuar se ai nuk ka pasur ndikim në çështjet operacionale si transporti apo logjistika ushtarake.

Mediu argumenton se gjatë ish-administratori i firmës “Alba Demil”, Mihal Delijorgji ka punuar në Gërdec që në kohën kur kryeministër ishte Pandeli Majko, ndërsa theksoi se më së shumti telefonata Delijorgji ka patur me shefin e Shtatbit të FA, Luan Hoxha sesa vetë Mediu si ministër i Mbrojtjes.

Seancën e kaluar, seanca u shty për shkak se ministri ndodhej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej ku edhe kishte publikuar video me drejtuesin e fushatës së PD, Christopher Lacivita.

Ndërsa gjyqtari i dha vërejtje avokatit të Mediut, duke i bërë me dije se shkaqe të tilla nuk do të përllogariten më si të vlefshme në proces gjyqësor.

SPAK e akuzon Mediun se shpërdoroi detyrën me nxjerrjen e disa akteve nënligjore që kanë sjell avantazhe për shoqëritë private që do kryenin demontimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë