Nga Gazeta ‘Si’- Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, kryeministri serb Millosh Vuçeviç njoftoi se jep dorëheqjen nga ky post.
Vendimi erdhi pas protestave masive në Beograd të cilat kanë nisur që kur një çati u shemb në nëntor në një stacion hekurudhor në Novi Sad, qyteti i dytë më i madh i Serbisë, ku u vranë 15 njerëz.
“Kur mora mandatin nga Presidenti i Republikës në fund të prillit të vitit të kaluar, kisha një ndjenjë krenarie, por edhe përgjegjësie që vjen me atë pozicion.
Jam shumë krenar për gjithçka që kemi bërë si qeveri në nëntë muajt e fundit, kemi arritur suksesin historik për t’i dhënë vendit një vlerësim investimesh, kemi rikthyer korridorin inflacionist, kemi pasur rritjen e dytë më të madhe ekonomike në Europë. Kemi bërë të mundur rritjen e pagave dhe pensioneve”, tha ai ndërsa shtoi se ajo që shtoi një hije ishte tragjedia që ndodhi në Novi Sad.
“Që nga ai moment Serbia dukej se ishte ngecur në atë aksident. Edhe këtu qeveria ka treguar përgjegjësi. Doli se nuk ka të mbrojtur dhe të privilegjuar. Ne si Qeveri jemi munduar t’i publikojmë të gjitha dokumentet që keni kërkuar.
Sado që bënim thirrje për qetësim, diçka ndodhte gjithmonë sipas ndonjë skenari të keq. Dukej sikur ndonjë dorë e padukshme kishte krijuar një incident të ri dhe kishte krijuar tension në shoqëri”, deklaroi Vuçeviç.
Ai tha se në mëngjes ka njoftuar presidentin Aleksander Vuçiç për vendimin e tij.
“Mendoj se politika së cilës i përkas, partia që drejtoj, e cila ka fituar të gjitha zgjedhjet, duhet të tregojë përgjegjësinë më të lartë dhe të tregojë rregulla të reja të ligjit, duhet të tregojë se është objektivisht më e përgjegjshmja. Prandaj pas kësaj ngjarjeje në Novi Sad është vendimi im i parevokueshëm të jap dorëheqjen. Unë pata një bisedë të gjatë me presidentin këtë mëngjes, ai pranoi vendimin tim dhe argumentet e mia”, tha Vuçeviç.
Protestuesit duke përfshirë studentë, mësues dhe punëtorë të tjerë kanë dalë me mijëra, duke fajësuar për fatkeqësinë korrupsionin brenda qeverisë së presidentit populist Aleksandar Vuçiç dhe duke bllokuar kryqëzime të rëndësishme në vend.
Një ditë më herët presidenti Vuçiç njoftoi se ishin plotësuar të gjithë kërkesat e tyre dhe do shkarkoheshin 50% e ministrave./ Novosti
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.