Bota

Mediat në Britani: Princi Andrew kërkon dy prona që të lirojë kështjellën Royal Lodge

Gazeta Si – Princi Andrew thuhet se është i gatshëm të largohet nga shtëpia e tij aktuale, Royal Lodge në Windsor (një rezidencë me 30 dhoma për të cilën nuk ka paguar qira për më shumë se njëzet vjet), vetëm në këmbim të dy pronave brenda territorit të kështjellës.

Këto janë Adelaide Cottage (të cilën Princi William, djali i madh i Mbretit Charles dhe gruaja e tij, Kate do ta lirojnë muajin tjetër për t’u zhvendosur me fëmijët e tyre në Forest Lodge shumë më të madh) dhe Frogmore Cottage (e dhënë si dhuratë martese nga Mbretëresha e ndjerë Elizabeth, Princit Harry dhe gruas së tij Meghan).

Por këta të fundit, hoqën dorë pas ndarjes së tyre nga Familja Mbretërore dhe mërgimit të tyre të vetëimponuar në SHBA në vitin 2020).

Mbreti Çharles i dha së fundmi një ultimatum vëllait të tij më të vogël: të paguajë për rezidencën e tij në Windsor ose ta lirojë atë.

Tabloidi britanik “The Sun”, raporton se kërkesa për dy prona shpjegohet me faktin se Princi Andrew do të merrte njërën dhe tjetra do t’i shkonte ish-gruas së tij, Sarah Ferguson.

Sipas “Sun”, Princi do të donte të transferohej në Frogmore Cottage, ndërsa ish-gruaja e tij do të donte të transferohej në Adelaide Cottage. Pavarësisht divorcit të tyre, të dy kanë jetuar në Royal Lodge që nga viti 2008.

Andrew, i përfshirë në disa skandale, njoftoi disa ditë më parë se do të heqë dorë nga titulli mbretëror i Dukës së Jorkut.

Protesta e fundit rreth tij, lidhet me botimin e fragmenteve nga kujtimet e Virginia Giuffre, të cilat pretendonin se ajo ishte viktimë e trafikimit seksual nga Epstein dhe se kishte pasur marrëdhënie seksuale me vëllain e Mbretit Charles kur ishte 17 vjeçe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë