Bota

Mediat izraelite: Trump do të njohë shtetin e Palestinës. SHBA përgënjeshtron

Gazeta Si – Sipas burimeve diplomatike nga vendet e Gjirit Persik, Donald Trump është gati të shpallë njohjen e shtetit të Palestinës. Këtë e raporton gazeta “Jerusalem Post”, duke kujtuar se si thashethemet qarkullojnë prej ditësh

Një njoftim i madh dhe i afërt i presidentit amerikan pritet në ditët në vijim në Lindjen e Mesme ku do të marrë pjesë edhe në samitin e vendeve të Gjirit të organizuar nga Arabia Saudite.

Ditët e fundit, disa media amerikane kanë folur për zhgënjimin e Trump me linjën e ndjekur nga aleati i tij Benyamin Netanyahu, me të cilin duket se ka pasur mosmarrëveshje.

Por ambasada amerikane në Izrael, ka mohuar hipotezën e njohjes së Shtetit të Palestinës. Ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee e quajti “të pakuptimtë” raportin e “Jerusalem Post”, se presidenti Donald Trump po përgatitet të njohë një shtet palestinez gjatë vizitës së tij të ardhshme në Lindjen e Mesme.

“Ata kanë nevojë për burime më të mira se ky ‘burim’ i paidentifikuar. Nipi im 4-vjeçar, Teddy, është më i besueshëm”, shkroi Huckabee në X. “Izraeli nuk ka mik më të mirë se presidenti i Shteteve të Bashkuara”, – shtoi ai.

Sot, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë sot se kishin goditur “rreth 60 objektiva terroristë në Rripin e Gazës” në 24 orët e fundit.

Sipas burimeve palestineze, 23 persona u vranë dhe 124 u plagosën, me shumë të tjerë ende nën rrënojat e shtëpive të shkatërruara.

Ushtria izraelite tha në deklaratën e saj se eliminoi dy terroristë të armatosur “të cilët u ishin afruar trupave dhe përbënin një kërcënim”, si dhe goditi një “ndarje të mbushur me eksplozivë nga ku vepronin disa terroristë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë