“Protesta e opozitës në Tiranë dhe thirrjet për dhunë janë një shenjë e keqe jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin e mbingarkuar nga demonstratat anti-qeveritare. Megjithatë, asgjë nuk do ta bëjë kryeministrin Edi Rama të dorëhiqet. Madje nëse do të kishte zgjedhje të parakohshme ai ka shumë mundësi t’i fitojë përsëri, pasi Shqipëria vuan nga mungesa e alternativave politike”. Kështu e përshkruan situatën dhe tensionet politike në Shqipëri gazeta e njohur italiane “Il Fato Quotiditiano”.
Tensionet dhe protesta e opozitës kanë marrë një vëmendje të jashtëzakonshme nga mediat fqinje, sidomos ato italiane. Ndërkohë që gazetarët e Rai ndodheshin në Tiranë për të pasqyruar nga afër protestën e opozitës, një sërë mediesh italiane bëjnë një analizë të zgjeruar të gjendjes politike në Shqipëri, korrupsionit, lirive demokratike dhe trafikut të drogës. Pothuajse të gjithë gazetarë e vendit fqinj bien dakort se entuziazmi ndaj qeverisjes së kryeministrit Rama ka ardhur drejt rënies, por theksojnë se edhe pse kanë kaluar dekada pas rrëzimit të regjimit të Enver Hoxhës, për Shqipërinë nuk ka ende alternativa të tjera politike”.

“Së pari Shqipëria nuk është më ajo e vitit 1997. Së dyti Tirana nuk është në kaosin e Karakasit, pavarësisht krahasimeve të Rames me Maduron dhe së treti përplasja ndërmjet palëve politike shkon përtej sallës së parlamentit”, shkruan “Il Fato Quotiditiano” duke radhitur arsyet përse sipas saj Kryeministri Rama nuk ka të ngjarë të dorëhiqet. “Edi Rama ka deklaruar publikisht se ai as nuk mendon hipotezën e dorëheqjes dhe se nuk është i detyruar të plotësojë kërkesat e pakicës. Në realitet, një riorganizim i thellë i qeverisë, me zëvendësimin e tetë ministrave, ka ndodhur tashmë në fund të dhjetorit, pas protestave të studentëve. Edhe pas dorëzimit të mandateve nga ana e deputetëve të opozitës, tani duket më e vështirë se kurrë Rama të largohet nga frika”,thekson gazeta italiane.
Sipas saj, skenari më i mundshëm është që opozita dhe qeveria të arrijnë një marrëveshje të ngjashme me atë të vitit 2017, edhe pse kjo nuk do t’i jepte fund mosmarrëveshjeve.

Situata është e pashembullt, pavarësisht faktit që gjatë tridhjetë viteve të fundit ka pasur dhjetëra raste të bojkotit parlamentar. Megjithatë askush në Tiranë nuk supozon se Rama mund të japë dorëheqjen, shkruan “Il Fato Quotiditiano” . “Nga ana tjetër qeveria mund të arrijë një marrëveshje të ngjashme me atë të vitit 2017 me Partinë Demokratike, kur të dyja palët ranë dakord për një qeveri teknike një muaj përpara zgjedhjeve. Kthimi në votime i dha atij një shumicë absolute në Parlament. Edhe vetë Rama e di se largimi i tij nuk do t’i japë fund mosmarrëveshjeve”, thekson gazeta italiane.
Nga ana tjetër, “Lettera 43” shkruan se kërkesat e të dyja forcave politike për dorëheqjen zyrtare të qeverisë u zyrtarizua me djegien e mandateve. “Ky është hapi i parë drejt krijimit të një qeverie tranzitore, e cila mund të organizojë zgjedhjet e parakohshme në qershor, që përputhet me ato administrative”, shkruan ajo. “Opozita e konsideron parlamentin aktual të paligjshëm, duke i akuzuar deputetët e qeverisë se i kanë fituat votat falë mafias. Për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Shqipëria është në gjendje të jashtëzakonshme”, thekson gazeta.

Por “Il Fato Quotiditiano” hyn edhe me thellë situatës, duke thënë se protesta e 16 shkurtit u organizua për t’i parapritë përplasjeve politike që priten të ndodhin ditët e ardhme në vendin tonë.
“Është e sigurtë se sulmi ndaj kryeministrisë ishte i paramenduar, për të nxitur Gardën Republikane të hapte zjarr. Një reagim i tillë do ta kishte bërë Ramën të dridhej dhe të qëllonte protestuesit, duke dalë kështu përpara komunitetin ndërkombëtar si një diktator”, shkruan gazeta. “Ky skenar gjithashtu do të kishte shërbyer për të barazuar socialistët dhe demokratët pas protestës së 21 janarit të vitit 2011”.
Sipas kësaj gazeta, ajo që po ndodh në këto ditë në Shqipëri nuk është incizimi i një lufte civile dhe as një kryengritje popullore për liritë themelore, por një “larje hesapesh” mes palëve politike, të cilat injorojnë problemet e vërteta të vendit.

“Shqipëria duket se ia ka kaluar të gjitha veprimtaritë që përbëjnë interes publik kompanive private: është vendi më i korruptuar në të gjithë rajonin e Ballkanit, sipas të dhënave të Transparency International, por ky është një fenomen me rrënjë të lashta. Ka edhe ata që e quajnë vendin “Kanabistan”, sepse prodhimi i marihuanës është rritur si nën udhëheqjen e demokratëve ashtu edhe të socialistëve”, thotë “Il Fato Quotiditiano”. Pakënaqësia përtej Kanalit të Otrantos është e madhe: 60% e shqiptarëve thanë se janë gati të jetojnë jashtë vendit dhe dhjetorin e kaluar, 44% e të rinjve thanë se kishin aplikuar për të ikur jashtë vendit. Të dhënat e përpunuara nga Ambasada Italiane konfirmojnë se papunësia erdhi sërish në rritje në 2018, duke arritur 12 përqind krahasuar me normën prej 8 përqind të vitit të kaluar”, përfundon gazeta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




