Ngjarje

Mediat e Ballkanit nën presion politik dhe ekonomik

Raporti vjetor i të drejtave të njeriut i Departamentit Amerikan të Shtetit, thotë se presionet politike dhe ato të oligarkëve, janë një kërcënim i vazhdueshëm për lirinë e medias në rajon, edhe pse situata në Maqedoninë e Veriut është e përmirësuar.
Sipas raportit, ndikimi politik dhe kontrolli i drejtpërdrejtë ose i tërthortë mbi mediat, si dhe kërcënimet, e dhuna ndaj gazetarëve, kanë bërë që klima mediatike të përkeqësohet, në shumicën e vendeve të Ballkanit.
Në Shqipëri, keqpërdorimi i medieve nga pronarët e tyre është, një ndër çështjet më shqetësuese, sipas raportit. Shumica e pronarëve të televizioneve private, përdorin transmetimet e tyre televizive për të ndikuar në zgjedhje, apo veprime të tjera të qeverisë. Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kanë kufizuar mediat e pavarura dhe gazetarët kanë praktikuar modelin e vetëcensurimit.
Raporti tregoi gjithashtu, se janë të paktat media e pavarura dhe gjatë gjithë kohës përjetojnë presion politik dhe ekonomik, duke përfshire kërcënimet dhe dhunën ndaj gazetarëve, që përpiqen të hetojnë krimin dhe korrupsionin.

Kur flasim për Kosovën, raporti tregoi se problemi më i madh në vend janë sulmet kundrejt komunitetit serb. Vetëm në shtatë muajt e parë të vitit, ka pasur më shumë se 100 incidente, kundrejt serbëve të Kosovës dhe Kishës Ortodoksë Serbe. Por, edhe në Kosovë nuk ka munguar korrupsioni në radhët e qeverisë, si dhe kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve
Për Serbinë në raport thuhej se, edhe pse organizatat e mediave të pavarura ekzistojnë dhe shprehin një spektër të gjerë pikëpamjesh, ato po “vuajnë” dita ditës nga presioni i qeverive.
I njëjti problem ekziston edhe në Rumani. Kontrolli i tërthortë i medieve nga ana e politikanëve, është bërë më se i dukshëm për qytetarët. Ndërsa, mediat që janë të pavarura dhe shprehin një shumëllojshmëri pikëpamjesh dhe mendimesh janë të pakta në numër. Përgjithësisht, lajmet pasqyrojnë pikëpamjet e pronarëve të tyre edhe në këtë shtet, duke i përdorur si sulm ndaj kundërshtarëve politikë.
Raporti tregoi se ndryshe nga vendet e sipër përmendura, klima mediatike në Maqedoninë e Veriut është përmirësuar. Nëse në vendet e tjera raportimet dhe lajmet, ishin në bazë të ndikimeve politike dhe organizatave kriminale, numri i medieve të pavarura që shprehnin mendimet dhe lajme të pa kufizuara është shtuar në Shkup.
Përpos lirisë së medias, Departamenti Amerikan i Shtetit, tregoi në raport faktin se autoritetet malazeze kryenin një punë të dobët, për sa i përket ndjekjeve penale të lidhura me krimin e organizuar. Sipas organizatave joqeveritare të ndryshme në Malin e Zi, një numër i konsiderueshëm policësh, janë përgjegjës për shkeljen e rregullave gjatë shërbimit të tyre.
Ndërsa për sa i përket lirisë se medias në këtë shtet, raporti theksoi se sulmet ndaj gazetarëve vazhdojnë të jenë një problem serioz, duke shtuar se mediat e pavarura ankohen vazhdimisht për presion ekonomik nga ministritë dhe agjencitë qeveritare.
Departamenti Amerikan i Shtetit, ka publikuar raporte vjetore për të drejtat e njeriut që nga viti 1977 dhe mbulon një gamë të gjerë çështjesh, duke përfshirë lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes. /Balkan Insight/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë