Gazeta Si – Autoritetet amerikane kishin përmendur në mënyrë eksplicite “Crocus City Hall” si një objektiv të mundshëm të një sulmi terrorist si pjesë e paralajmërimeve për zyrtarët e qeverisë ruse rreth dy javë para sulmit, i cili la gati 150 njerëz të vdekur në sallën e koncerteve pranë Moskës.
Zyrtarë anonimë amerikanë “të njohur me këtë çështje” e konfirmuan këtë për prestigjiozen amerikane “Ëashington Post”.
Sipas gazetës, “niveli i lartë i specifikës” i paralajmërimit drejtuar autoriteteve ruse do të forconte “sigurinë e Uashingtonit në atribuimin e përgatitjeve për sulmin kundër një numri të madh civilësh nga ana e Shtetit Islamik” dhe do të mohonte “pretendimet e Moskës, se paralajmërimet e Uashingtonit ishin shumë të përgjithshme për të parandaluar sulmin”.
Sipas raportimit, që më pas u konfirmua nga “New York Times”, zyrtarët amerikanë i thanë Moskës se Shteti Islamik po planifikonte një sulm dhe se salla e koncerteve “Crocus” ishte një objektiv i mundshëm.
Nëse përmendja e “Crocus” si një objektiv i mundshëm i një sulmi nga Uashingtoni do të konfirmohej – nënvizon gazeta – “do të lindnin pyetje të reja se pse autoritetet ruse nuk kanë miratuar masa më të forta për të mbrojtur strukturën”, ku katër persona të armatosur ata vranë mbi 140 njerëz, përpara se t’i vinin flakën të gjithë ndërtesës.
Në paralajmërim nuk u përfshin specifika të tjera apo koha e sulmit, por u tha se sulmi mund të kryejë brenda ditësh, thanë burime të inteligjencës për dy gazetat amerikane.
Katër sulmues të armatosur sulmuan sallën Crocus, që gjendet në periferi të Moskës, pak para se të niste një koncert, duke vrarë 144 persona. Ky ishte sulmi terrorist më vdekjeprurës në Rusi që nga viti 2004. Shteti Islamik i shpallur grup terrorist, menjëherë mori përgjegjësinë për sulmin.
Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe zyrtarët e komentatorë të tjerë rusë kanë pretenduar, pa ofruar dëshmi, se Ukraina mund të ketë luajtur një rol në sulm. Zyrtarët ukrainas kanë mohuar çdo përfshirje dhe kanë akuzuar Moskën se po përdor tragjedinë për të intensifikuar luftën e saj kundër Kievit.
Sergei Naryshkin, kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme, SVR, tha për Interfaxin më 2 prill se paralajmërimet amerikane ishin “shumë të përgjithshme” për t’i mundësuar Rusisë që të parandalonte sulmin.
Po të njëjtën ditë, Putin tha se organizatorët e sulmit në Crocus dëshironin “të mbillnin fara të mospajtimit dhe panikut… në shtetin tonë dhe ta mposhtin Rusinë nga brenda”. Paraprakisht, ai kishte akuzuar SHBA-në dhe shtetet e tjera perëndimore se kanë qëllime të ngjashme. Ai u bëri thirrje institucioneve ligjzbatuese që të identifikojnë “përfituesit kryesorë kriminalë” të këtij sulmi.
Sulmi në Crocus është një dështim i madh i forcave të sigurisë së Rusisë, që kritikët thonë se janë të përqendruara në shtypjen e mospajtimit politikë brenda vendit dhe kundërshtimit të luftës kundër Ukrainës, shpesh duke i cilësuar opinionet politike si “terrorizëm” dhe “ekstremizëm”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




