Armando Broja ka shkëlqyer në ndeshjen e parë si titullar me fanellën e Viteses në Holandë, ku pak kohë më parë kaloi si i huazuar nga Çelsi. Sulmuesi i Kombëtares ishte protagonist absolut në ndeshjen e fundit, duke i dhënë fitoren 0-2 skuadrës së tij me dy golat e shënuar ndaj Den Hag në transfertë. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka marrë merita dhe lëvdata nga të gjitha mediat në vendin ku aktivizohet pas performancës që bëri në ndeshjen e fundit. “Broja mban Vitesen në shina pas kartonit të kuq të Tanane”, apo “Broja ka vlerën e arit për Vitesen me 10 lojtarë”, “Vitese i mbijeton kartonit të kuq idiot të Tanane falë Brojës”, ishin disa nga titujt e mediave online në Holandë ditën e sotme.

Këtë herë ka qenë prestigjiozja holandeze “De Telegraaf”, që ka shkruar për Brojan duke thënë se ai është një vlerë e shtuar për ekipin e Shqipërisë dhe trajneri i kombëtares duhet të mbështetet sa më shumë te ky talent i futbollit shqiptar. “Vitese mori kryesimin dhe më pas nuk ishte më në rrezik. Edhe me një lojtar më pak, skuadra nga Arnhajm arriti të dyfishonte falë një aksioni të shkëlqyer të Brojës, i cili bëri çfarë deshi mes mbrojtjes të skuadrës së qytetit të Hagës. Djaloshi 19-vjeçar anglez me origjinë shqiptare, tregoi se është shumë i talentuar dhe është një futbollist të cilit Vitese mund t’i gëzohet në këtë sezon”, shkruante portali i gazetës së njohur për sulmuesin shqiptar.

Broja vinte pas dy ndeshjeve me Kombëtaren, me Kazakistanin dhe Lituaninë, në të dyja i aktivizuar si titullar nga trajneri Edi Reja. 19-vjeçari dha sinjale pozitive me fanellën e Kombëtares, sidomos në Kazakistan. Nga specialistët vlerësohet si lojtari, tek i cili do të mbështetet sulmi kuqezi për shumë vite.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




