Ngjarje

Media greke fajëson Olsi Ramën për banderolat në sfidën Partizani-Skënderbeu

Ngjarja e ndodhur në fshatin Bularat të Gjirokastrës, ku forcat RENEA ekzekutuan Konstandinos Kaçifas, pasi ky i fundit kishte qëlluar kundër “uniformave blu”, ka sjellë një seri reagimesh në Greqi. Pas notës së protestës nga qeveria dhe interpretimeve të ndryshme që mediet greke i kanë bërë kësaj ngjarje, ajo që ka rihapur debatin ishte një ndeshje futbolli.

Mbrëmjen e së hënës në stadiumin “Selman Stërmasi” është luajtur sfida mes Partizanit dhe Skënderbeut, ku gjatë ndeshjes tifozët kryeqytetas kanë shfaqur disa banderola anti-greke. “Një grek më pak – një bastard më pak”, ishin fjalët që u shfaqën për disa sekonda në stadiumin “Selman Stërmasi”, për t’u sekuestruar më pas nga policia e shtetit. Por kaq pak sekonda dhe fjalët e shkruara në atë banderolë kanë mjaftuar që mediet greke të shkruajnë për një skenar të mirë organizuar për të nxitur urrejtje ndaj vendit fqinj.

Janë disa, gazetat greke që kanë shkruar për këto banderola të shfaqura mbrëmjen e djeshme në “Selman Stërmasi”.

Portali “Himara.gr” shkruan se banerat e shfaqur në stadium, nuk kishin asnjë lidhje me ndeshjen. Kjo gazete bën lidhjen mes presidentit të Partizanit, Gaz Demi që është më origjinë çame, dhe drejtorit të klubit të kuq, Olsi Rama që është vëllai kryeministrit shqiptar. Duke u nisur nga këto dy fakte, kjo gazetë thotë se banderola e shfaqur nga tifozët mund të jetë një veprim i orkestruar.

Ndërsa portali tjetër, “Epirus-post.gr” shkon akoma dhe më larg, duke e bërë fakt të kryer se banderola është shfaqur me porosi të Olsi Ramës, që njihet si një njeri provokues.

Për këtë incident të ndodhur gjatë ndeshjes ka reaguar vetë klubi i kuq. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Partizani është distancuar nga ky veprim i tifozëve të tij dhe që  nuk ka lidhje me normat e këtij klubi.

https://www.facebook.com/partizaniclub/photos/a.180026368858434/945347888992941/?type=3&theater

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë