Nga Gazeta Si - Mbrëmjen e 11 korrikut, performanca teatrale “Medalioni i hënës” bëri bashkë aktorë të njohur në Torrën Veneciane në Durrës.
Me ide dhe regji nga Driada Dervishi “Medalioni i hënës”, konceptuar si një mbrëmje poetike solli vargjet e Ismail Kadaresë, nën interpretimin e aktorëve të mirënjohur të skenës e filmit shqiptar si Yllka Mujo, Ndriçim Xhepa, Olta Daku, Xhelal Tafaj, Arben Derhemi dhe Anila Bisha.
Regjisorja Driada Dervishi tregon se poezitë e Kadaresë është përpjekur t’i sjellë në formë etydesh teatralë.
“Copëza nga poezi të Kadaresë të trajtuara si dialog teatral dhe etyde koreografik dhe muzikor. ‘Medalioni i hënës’ është një performancë teatrale. Ishte kryesisht linja e dashurisë, po nga ana tjetër edhe momente nga proza e tij, momenti i muzës, momenti i marrëdhënies së tij me poezinë dhe gjithashtu me dashurinë”, shprehet regjisorja Driada Dervishi për Gazetën “Si”.
Performanca teatrale erdhi si një festë e teksteve më të bukura kadareane të sjellë në këngë nga Vikena Kamenica shoqëruar në flaut nga Daorsa Dervishi e në kitarë nga Arbër Çerri. Nën tingujt e dy mjeshtrave, kompozitorëve Haig Zacharian e Endri Sina erdhi muza e dansit Vanesa Barushi, balerina Vanesa Barushi, nën koreografinë e Joli Eleni Gjovreku.
“Poezia, muza edhe dashuria, të gjitha këto lidhen edhe me balerinë. Disa nga tekstet e tij më të njohura që janë bërë këngë, erdhën në një përshtatje të re me Vikena Kamenicën”, thotë ndër të tjera për Gazetën “Si” regjisorja Driada Dervishi.
I pranishëm në këtë performancë ishte dhe vetë shkrimtari Ismail Kadare së bashku me bashkëshorten e tij, Helena Kadare.
Për Driada Dervishin, kjo performancë ishte një mënyrë për t’iu afruar sadopak magjisë së vargjeve e fjalës së Kadaresë.
“Ishte një mënyrë për t’iu afruar, jo nëpërmjet një shfaqjeje teatrore, që shpresoj të jetë shpejt, por nëpërmjet një performance teatrale për të prekur disi magjinë e tij dhe duke provuar për të punuar me fjalën e tij në këtë formë. Kadareja është një frymëzim i vazhdueshëm për çdokënd, regjisor, aktor, arkitekt nuk ka rëndësi. Kadare na frymëzon nga pak të gjithëve, është shumë dimensional”, shprehet Dervishi.
Regjisorja Dervishi thotë se veprat e Kadaresë janë me shumë personazhe, janë të përmasave kolosale, ndaj vënia në skenë e tyre mbetet gjithmonë e vështirë dhe sfidë.
“Edhe pse thuhet se Kadareja është shumë i vështirë për t’u vënë në teatër, nga gjithë kërkimet që kam bërë edhe leximet për vëniet e dramaturgjisë shqiptare, Kadareja në fakt është autori më i vënë në teatrin shqiptar. Por, ama janë pjesë me shumë personazhe, me angazhime shumë të mëdha dhe që kërkojnë relativisht kosto. Duke pasur sa e vështirë është sot, se përpara viteve 2000 edhe janë vënë. Janë vepra të mëdha si p.sh ‘Stinë e mërzitshme në Olimp’, apo ‘Pallati i Ëndrrave’, ose ‘Kush e solli Doruntinën’, kanë një shumësi personazhesh”, thotë ndër të tjera regjisorja.
Performanca teatrale “Medalioni i hënës” mblodhi publik, fansa, të të gjitha disiplinave, si muzikës, baletit, teatrit apo poezisë. Sipas Dervishit performancat teatrale që tanimë janë prezente gjithmonë e më tepër në këtë sezon veror ku ndërthuret poezia, interpretimi dhe muzika, i bëjnë mirë si komunitetit artistik, por edhe publikut.
“Përftohet në këtë rast një publik nga të gjitha dëshirat, pra një fans i muzikës, baletit, teatrit apo poezisë dhe në njëfarë mënyre kështu përfitojnë të gjithë. Përfton edhe komuniteti artistik, por edhe publiku pasi shikon shumë disiplina, në një performancë dhe mendoj që është një gjë shumë e bukur. Por sigurisht unë mendoj që poezia dhe letërsia përfiton shumë duke pasur parasysh që është problematika e leximit dhe kjo është një mënyrë për ta promovuar dhe merret shumë kënaqësi”, përfundon regjisorja Driada Dervishi për Gazetën “Si”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.