Muzike

‘Meant To Be’ e Bebe Rexhës, kënga country më e suksesshme e shekullit të 21-të, sipas Billboard

Nga Gazeta “SI”– Pas një dominimi rekord prej 50 javësh në krye të listës “Hot Country Songs”, bashkëpunimi mes Bebe Rexhës dhe Florida Georgia Line, “Meant To Be”, është shpallur nga Billboard si kënga country më e suksesshme e shekullit XXI.

Klasifikimi përmbledh performancat muzikore nga viti 2000 deri në fund të vitit 2024, dhe është pjesë e një serie retrospektive që përfshin gjithashtu artistët dhe albumet më të mirë të zhanrit Country në këtë periudhë.

Kënga, që theu kufijtë e zhanrit duke u ngjitur edhe në listat pop dhe adult contemporary në SHBA, shënoi një arritje të pazakontë për artistët e përfshirë. Bebe Rexha, me origjinë shqiptare, bëhet kështu pjesë e historisë së muzikës country, një territor tradicionalisht i rezervuar për emrat më të konsoliduar amerikanë.

Lista përfundimtare me 100 këngët më të suksesshme të këtij çerek shekulli u publikua më 29 maj nga Billboard, ndërsa ditët e mëparshme ishin zbuluar edhe klasifikimet për albumet dhe artistët më të mirë. Në vendin e 10-të u rendit “The Bones” nga Maren Morris, një këngë që pushtoi listat në vitin 2020 dhe u kthye në një prej hiteve më të mëdha të karrierës së saj, pasuar nga “Last Night” e Morgan Wallwen dhe “Wasted on you” nga po i njëjti artist.

Përmes këtyre klasifikimeve, Billboard jo vetëm që evidenton prirjet muzikore të dekadave të fundit, por edhe nënvizon se si arti i bashkëpunimeve dhe përzierja e stileve ka përmbysur kufijtë tradicionalë të muzikës country.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë