Shendet

Me uljen e infektimeve nga Covid-19, u ulën dhe vaksinimet

Me fillimin e muajt mars, në vendin tonë filloi edhe rënia e infektimeve ditore të Covid-19. Gjithashtu, ka pasur një numër të ulët shtrimesh dhe vdekjesh. Por ajo që pësoi ulje gjatë muajit Shkurt, ishin edhe vaksinimet.
Vaksinatorët nëpër qendra shëndetësore 2, 6 dhe 9 i kanë shpjeguar Gazetasi.al se me rënien e fluksit të infektimeve, kanë rënë edhe vaksinimet. Sipas tyre, kjo vjen si pasojë e përfundimit të valës së katërt, sepse atëherë njerëzit ishin më të shqetësuar.

Pavarësisht, nivelit të ulët të vaksinimit dhe kërkesës për një certifikatë vaksinimi, numrat e të vaksinuarve janë në ulje. Sipas vaksinatorëve nga 20 deri në 30 persona që mund të kishin në ditë para një muaji, tashmë kanë 5 deri në 8 persona.
Kjo gjë është e dukshme edhe në shifrat e raportuara nga Ministria e Shëndetësisë. Gjatë javës së fundit vaksinimet nuk kanë kaluar mbi 3000, ndërsa gjatë gjithë muajit janë kryer rreth 43.047 vaksinime në total, një numër më i vogël se muajt paraardhës.
Ndërkaq, pas mbledhjes së fundit të Komitetit Teknik, Eksperti i Shëndetit Publik, Alban Ylli shpjegoi se në popullatën target mbi 16 vjeç janë vaksinuar 61% e qytetarëve me një dozë dhe 57% me të dyja dozat. Ylli shpjegoi se popullata +60- vjeç paraqitet me një nivel më të lartë të vaksinimit në krahasim me popullatën e përgjithshme. Te kjo grup moshë është 70% mbulesa vaksinale.
Ekspertët kanë theksuar se tepër i rëndësishëm është edhe vaksinimin e fëmijëve +12 vjeç por në qendrat e vaksinimit shumë të paktë janë fëmijët që shkojnë të marrin vaksinën anti-Covid.

Grafik që tregon rënien e vaksinimeve përgjatë një muaji. Punuar nga Gazeta “Si”

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë janë kryer: 1,269,601 doza të para, 1,195,910 doza të dyta dhe 236,223 doza të treta
Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar të hënën se më shumë se gjysma e popullsisë globale është plotësisht e vaksinuar kundër Covid-19, por kërcënimi i më shumë varianteve do të thotë se është shumë herët për të supozuar fitoren mbi virusin – edhe në mes të rasteve në rënie sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Është inkurajuese të shohësh se vdekjet nga Covid-19 tani po bien globalisht dhe në shumicën e rajoneve. Dhe është e këndshme të shohësh disa vende që janë në gjendje të lehtësojnë kufizimet pa u mbingarkuar sistemet e tyre shëndetësore”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus të mërkurën. Ai shtoi se është shumë herët për të shpallur fitoren mbi Covid-19 dhe jemi ende nën kërcënimin e një varianti tjetër të rrezikshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë