Nga Gazeta Si- Spiro dhe Dhespo Kalivioti janë dy të moshuarit e dhunuar në Finiq të Vlorës nga dy persona ende të paidentifikuar që hynë në banesën e tyre të dielën në darkë për të grabitur.
Me të çara në kokë dhe të nxira në trup dy të moshuarit kanë treguar për median makthin që kanë kaluar atë natë, duke deklaruar që janë rrahur me shkopinj nga dy djem, të cilët u kanë marrë 200 mijë lekë.
Dy të moshuarit merrnin paratë e tokave që banorët e tjerë kishin lënë me qera kur janë larguar jashtë vendit, para që ua jepnin kur ato ktheheshin për pushime në Vlorë.
“U angazhova te tokat, u jap lekët dhe më japin tokat për t’i mbajtur. I kam bashkë me 2-3 vëllezër nga Skrapari. Lekët fshatarëve ua jap unë, por ishin 5-6 vetë që nuk kishin ardhur nga Greqia, dhe lekët e tyre janë ata që kanë gjetur në shtëpi. Është dikush që i di të gjitha”, është shprehur Spiro Kalivioti.
Përpara mbrëmjes së të dielës, njëri prej tyre ka hyrë fshehurazi në shtëpinë e tyre dhe të premten në mbrëmje duke kontrolluar sirtarët e dhomës.
“Një trup i hollë i maskuar, fytyrë e pastër kingu, me një veshje të zezë, me një rrip me stampë. Nuk ka gjë më të keqe, atë torturë që kemi kaluar në mbrëmë. Nuk kemi pasur asnjëherë problem me fshatarët”, thotë gruaja, e cila tregon se të dielën në darkë kanë shkuar dy persona, duke hyrë nga dritarja.
“U çua burri i tha ‘çfarë kërkoni?’ ‘na jepni lekët’ tha, Më jep mua një shkop në kokë. S’kemi lekë thamë ne, ata na thanë që e dimë që ju punoni dhe që keni lekët nga Skrapari pa dhënë. Na binin me shkop vazhdimisht. Na jepmi lekët që t’ju lëmë. Që nga ora 11:30 e deri nga ora 12:30 kanë qenë brenda. Gjetën ca lekë”, vijon më tej e moshuara e cila tregon se është e nxirë në pjesë të ndryshme të trupit.
“ U thash që në shtëpi nuk kishim armë. E kthyen shtëpinë tmerr”, ka rrëfyer Dhespo Kalivioti.
Spiro dhe Dhespo Kalivioti kërkojnë që shteti të gjejë dhe dënojë autorët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



