Nga Gazeta ‘Si’– Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka njoftuar tërheqjen nga gara për deputet në zgjedhjet e 11 maj.
Në një postim në Facebook, Koçi shpjegon edhe arsyet pse ka marrë këtë vendim. Ai shkruan se tërheqjen nga gara nuk e bën për paburrëri politike apo frike dështimi personal por sepse thotë se është i vetmi që nuk ka mundësinë e startit në kushte të barabarta sepse nuk ka në ngarkim një zonë përgjegjësie politike elektorale.
“Pas një fushate jotregtare në zgjedhjet e fundit vendore në kryeqytet, bashkë me strukturën organizative të zonës, e nxorëm Kombinatin të parin, me një rezultat që e çoi stekën elektorale në 60% për PS-në”.
Sipas Koçit, pas caktimit të Blendi Gonxhes si drejtues politik për zonën e Kombinatit, pozicioni i tij nuk ishte më i qartë.
“Caktimi i Blendi Gonxhes si përgjegjës politik në zonë ishte një zgjedhje e mençur dhe e qëlluar, sepse problemet madhore të Kombinatit, si pasojat e tërmetit, procesi i rindërtimit apo ndikimi i projekteve madhore të Unazës apo të Lanës, kërkonin një fuqi ekzekutive të dedikuar dhe kompetente për t’ua koordinuar zgjidhjet. Unë e vlerësoj shumë punën e tij elektorale dhe besoj se Kombinati do të jetë sërish i pari në garën zgjedhore. Megjithatë, ky ndryshim në përgjegjësinë drejtuese solli një spostim jotransparent dhe mospërcaktim të qartë të funksionit tim në zonë.
U ndërpre si me thikë përfshirja ime në aktivitetin organizativ të partisë, duke mos u lajmëruar kurrë për kalendarin e përditshëm të mbledhjeve dhe takimeve, përjashto rastet kur ky kalendar varej nga selia qendrore dhe lajmërimet mbërrinin nëpërmjet rrjetit në grupin WhatsApp të deputetëve. Nuk e di nëse kjo situatë ishte e orientuar apo ishte pasojë e ndonjë intrige shpirtvogël. Megjithatë, e fal çdo kënd që, me apo pa dashje, ka gisht në këtë mëkat, i cili mbetet i parëndësishëm për interesa përtej meje”.
Pasi falënderon Edi Ramën për mbështetjen, Koçi bën edhe një ftesë për kolegët socialistë.
“E shfrytëzoj këtë komunikim publik për t’i bërë thirrje çdo kolegu, deputet ose jo, që ka probleme hetimore serioze me SPAK-un, të mos kandidojë në këto zgjedhje. Kam besim se çdo person, të cilit do t’i ndërpritet procesi hetimor apo do të mund të marrë pafajësinë më vonë, PS-ja do t’i japë meritat e duhura në vijim”, thotë ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




