Shendet

Më shumë vitaminë C se portokalli- Për imunitet konsumoni…speca

Nga Gazeta ‘Si’- Jemi në kulmin e sezonit të gripit, ndaj forcimi i imunitetit është në mendjen e pothuajse të gjithëve.

Të jesh i rregullt me vaksinat (gripi, COVID-i dhe për disa persona RSV) është thelbësore për mbrojtjen e shëndetit. Po aq të rëndësishme janë edhe rregullat bazë të higjienës që i kemi mësuar që në fëmijëri: të mbulosh gojën kur teshtin dhe të lash duart shpesh.

Edhe ushqimi luan rol në mbështetjen e sistemit imunitar. Ndoshta ke pirë lëng portokalli pa masë për të shmangur sëmundjet. Por ndonëse portokallet janë burim i mirë i vitaminës C, specat kanë edhe më shumë, duke i bërë një perime shumë të vlefshme për t’u përfshirë në dietë.

Të gjithë specat kanë vlera ushqyese, por përfitimet ndryshojnë pak sipas ngjyrës. Dietologë të certifikuar shpjegojnë se cila ngjyrë është më e përshtatshme, sidomos për forcimin e imunitetit.

Si ndryshojnë vlerat ushqyese të specave sipas ngjyrës

Për të kuptuar ndryshimet ushqyese, duhet ditur pse specat kanë ngjyra të ndryshme. Dietologia Ginger Hultin shpjegon se ngjyra lidhet me pjekurinë e specit.

Specat jeshilë janë më pak të pjekuri/ Specat e kuq janë më të pjekurit.

Specat jeshilë janë të pasur me klorofil, pigmenti që u jep ngjyrën jeshile. Me kalimin e kohës, ndërsa piqen në bimë, klorofili shpërbëhet dhe rritet prodhimi i karotenoideve, antioksidantë që ndikojnë si në ngjyrë, ashtu edhe në përbërjen ushqyese.

Ndryshe nga bananet, specat nuk vazhdojnë të piqen pasi këputen. Sipas studimeve, të gjithë specat përmbajnë: fibra, antioksidantë, vitaminë C dhe A, kalium, kalcium dhe fosfor.

Megjithatë, sasia e këtyre lëndëve ndryshon pak sipas ngjyrës.

Specat e kuq – më të pasurit në vlera ushqyese

Nëse synon përfitimin maksimal ushqyes, dietologët rekomandojnë specat e kuq. Ata piqen më gjatë dhe për këtë arsye përmbajnë më shumë antioksidantë.

Janë më të pasur me vitaminë C, kanë nivelin më të lartë të vitaminës A dhe ofrojnë mbështetje më të fortë për sistemin imunitar.

Studime tregojnë se specat e kuq mund të kenë deri në 60% më shumë vitaminë C krahasuar me specat jeshilë.

Mos i nënvlerëso specat portokalli, të verdhë dhe jeshilë

Edhe pse specat e kuq janë më të pasur, kjo nuk do të thotë se ngjyrat e tjera nuk vlejnë. Diferencat ushqyese janë relativisht të vogla.

Specat e verdhë janë të pasur me luteinë dhe zeaksantinë – të mira për shëndetin e syve

Specat jeshilë kanë pak më pak kalori, pasi përmbajnë më pak sheqerna natyrale

Megjithatë, kjo diferencë është e papërfillshme në praktikë. Ekspertët këshillojnë të “hash ngjyrat e ylberit”, për të përfituar nga profili unik antioksidant i çdo ngjyre.

Mënyra e gatimit ka rëndësi

Edhe mënyra se si i gatuan specat ndikon në vlerat ushqyese:

Avullimi dhe skuqja e lehtë ruajnë më mirë vitaminën C. Duhet shmangur zjerja ose gatimi në temperatura shumë të larta, pasi vitaminat e tretshme në ujë humbasin.

Për vitaminën A, e cila është e tretshme në yndyrë, rekomandohet gatimi me vaj ulliri ekstra të virgjër

Të gjitha ngjyrat e specave janë të shëndetshme dhe ia vlen të përfshihen në dietë. Mos u streso për ngjyrën perfekte – larmia është çelësi.

Në dimër dhe gjatë sezonit të gripit, është mirë të dish se speci i kuq ka më shumë vitaminë C se një portokall, por përfitimi maksimal vjen nga kombinimi i të gjitha ngjyrave.

Në fund të fundit, ushqimi i larmishëm është aleati më i mirë i imunitetit.

Burimi: Huffington Post/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë