Mjedis

Më shumë se gjysma e liqeneve të botës po thahen

Më shumë se gjysma e liqeneve dhe rezervuarëve në botë kanë filluar të thahen që nga fillimi i viteve 1990, kryesisht për shkak të krizës klimatike dhe konsumit njerëzor, duke intensifikuar shqetësimet për furnizimin me ujë për bujqësinë, hidrocentralet dhe konsumin njerëzor.

Një ekip studiuesish ndërkombëtar raportoi se disa nga burimet më të rëndësishme të ujërave të ëmbla në botë, humbën rreth 22 gigaton ujë në vit për gati 3 dekada, ekuivalente me totalin e ujit që shpenzohet në gjithë Amerikën për të gjithë vitin.

Fangfang Yao, studiues në Universitetin e Virxhinias, i cili udhëhoqi studimin e botuar të enjten në revistën Science, tha se 56% e rënies së ujit të liqeneve natyrore ishte shkaktuar nga ngrohja globale dhe konsumi njerëzor.

Shkencëtarët e klimës në përgjithësi mendojnë se zonat e thata të botës do të bëhen më të thata nën ndryshimin e klimës dhe zonat e lagështa do të lagështohen, por studimi zbuloi humbje të konsiderueshme të ujit edhe në rajonet me lagështi.

“Kjo nuk duhet të neglizhohet”, tha Yao.

Shkencëtarët vlerësuan pothuajse 2000 liqene të mëdhenj duke përdorur matje satelitore të kombinuara me modelet klimatike dhe hidrologjike.

Ata zbuluan se përdorimi njeriut, ndryshimet në reshjet dhe rrjedhjet, sedimentimi dhe rritja e temperaturave kishin ulur nivelet e liqeneve në nivel global, me 53% të liqeneve që kishin një rënie nga viti 1992 në 2020.

Gati 2 miliardë njerëz në mbarë botën janë prekur drejtpërdrejt dhe shumë rajone janë përballur me mungesë uji vitet e fundit.

Shkencëtarët dhe aktivistët kanë thënë prej kohësh se ngrohja globale nuk mund të kalojë 1.5 gradë Celsius nëse duam të shmangim pasojat më katastrofike të ndryshimeve klimatike. Bota aktualisht po ngrohet me një normë prej rreth 1.1 gradë Celsius.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë