Nga Gazeta ‘Si’- Në vendin tonë, gjatë muajit korrik dhe 2 javët e para të gushtit, u regjistruan shifra të larta të pacientëve të shtruar në spital dhe ata që kërkuan ndihmë në shërbimin parësor.
Të dhënat më të fundit të ISHP-së, të siguruara nga “Gazetasi.al” pasi nuk janë hedhur akoma në faqen e internetit www.ishp.gov.al, tregojnë se në javën e 32-të numri i pacientëve të sëmurë me diarre, ishte 4217 nga 4500 që është pragu.
Ekspertët e shëndetit publik thonë se temperaturat e larta të cilat përfshinë muajt korrik e gusht ndikuan në infeksionet gastroenterite, simptomat e të cilave janë ndjesi të vjellash, diarre, dhimbje trupi.
“Nga të dhënat tona marrë nga sistemi i survejancës konstatojmë se shifrat e larta u arritën në fund të muajit korrik, që përkuan me rritje të lartë të temperaturave.
Në spitalin infektiv në QSUT, rastet e paraqitura janë nga të gjithë grupmoshat”, thotë mjekja Suada Hila.
Mjekë këshillojnë që higjiena duhet të jetë e lartë dhe ushqimet duhet të konsumohen të freskëta.
“Një nga shkaqet e infeksioneve në aparatin tretës është uji ose ushqimet e ndotura. Ndaj kujdesi në këto ditë të nxehta duhet të jetë maksimal”, thonë mjekët.
Gjithashtu, ata kërkojnë më shumë kujdes me daljen në orët e pikut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



