Mjedis

Mbi 200 imazhe satelitore të plazheve nga bota. ‘Pasqyrat’ në Ksamil ka ujin më blu

Nga Gazeta Si - Plazhi pasqyrat në Ksamil është renditur si plazhi me ujin me të kaltër në botë. Sipas një hulumtimi të kryer nga agjencia e udhëtimeve “CV Villas”, që analizoi më shumë se 200 imazhe satelitore të plazheve nga e gjithë bota duke përdorur kodet digjitale të ngjyrave, ka rezultuar se plazhi i Pasqyrave ka ujin me ngjyrën më të theksuar blu.

Plazhi i Pasqyrave ia kalon edhe plazheve të Greqisë. Ndër 30 plazhet e renditura si më të mirat për nuancën blu, 26 ndodhen në Evropë, me Greqinë që kryeson me shtatë plazhe në listë. Veçanërisht, Paralia Mpouka në Peloponez dhe Kassiopi në Korfuz renditen respektivisht në vendin e dytë dhe të tretë. Por në krye të listës renditet plazhi i pasqyrave.

Sipas studimit, Europa është shtëpia e plazheve më blu në botë, duke mposhtur vendet si Bora Bora dhe Maldivet.

Ekspertët në agjencinë e udhëtimeve morën pamje të paredaktuara të hartës së Google të 200 plazheve anembanë globit dhe përdorën një mjet ngjyrash për të gjetur kodin RGB (RGB do të thotë ‘E kuqe, Jeshile, Blu’, ngjyrat kryesore në sintezën e ngjyrave shtesë) të çdo plazhi.

Kjo u ndërthur më pas me kodin RGB të nuancës më të kaltër në botë të blusë (YInMn Blue) e cila u shpall nuanca më blu e blusë në vitin 2016 nga Universiteti Shtetëror i Oregonit.

Studiuesit më pas përcaktuan se cilat vende uji ishte më afër YInMn Blue.

Franca, Portugalia dhe Turqia gjithashtu hynë në top 10, ndërsa Shtetet e Bashkuara përfaqësohen nga Cannon Beach në Oregon, duke u renditur në vendin e 15-të. Destinacione të tjera jo-evropiane të paraqitura në listë përfshijnë Matira Beach në Bora Bora dhe Playa El Doradillo në Argjentinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë