Treg

Me rritjen e çmimeve, shqiptarët po konsumojnë më pak fruta dhe perime

Përballë çmimeve në rritje dhe të njëjtës sasie parash në xhep, shqiptarët duket se po konsumojnë më pak fruta dhe perime këtë vit.

Në një vëzhgim nga tregu të Gazetës “Si”, vihet re se shtrenjtimi i çmimeve po vazhdon zinxhir, që nga prodhimet e tokës, te grumbulluesit dhe shitësit me shumicë e deri te stendat e tregjeve ku blejnë shqiptarët.

Ushqimet janë kategoria që prej më shumë se një viti po mban gjallë inflacionin, por në vend se të rritej konsumi, janë ngritur çmimet.

Tregtarët pranë Pazarit të Ri në Tiranë i treguan Gazetës “Si” që kjo rritje çmimesh ka ardhur si pasojë jo vetëm e disa mungesave në treg por edhe se ata po përpiqen të kompesojnë dëmin ekonomik të një viti më parë të shkaktuar nga pandemia.

“Qershitë kanë pasur çmime më të larta këtë vit krahasuar me një vit më parë.

Janë shitur me 10 lekë të reja më shumë por gjithashtu edhe fiku është goxha shtrenjtë.

Përgjithësisht, të gjithë frutat kanë patur çmime më të larta se vitin e kaluar përveç luleshtrydheve që pati shumë prodhim.

Ne i kemi rritur çmimet sepse duam të kompesojmë disi dhe humbjen e vitit të kaluar ku fitimet ishin të pakta, por edhe këtë vit kemi xhiro të ulët ditore.”-tregoi për gazetën “SI” Ismet Bana, një nga shitësit që ndodhej pranë stendave.

Veç frutave, nje rritje çmimesh është ndjerë edhe tek perimet, specat, qepët, bamjet dhe patatet.

“Ne, nga pika ku i blejmë këto produkte mund t’i rrisim me 10 lekë më shumë. Para dy ditësh e merrnin me 65 lekë dhe e shisnim me 80 lekë, ndërsa sot e morëm me 85 lekë dhe e shitëm me 100 lekë për kilogram”,- tha një tregtar për gazetën “SI”.

Ai tregoi se cilësia është gjithashtu përcaktuese, ndonëse mundohet të mos bëjë shumë diferencë midis 2 llojeve të ndryshme të një produkti që të mbajë klientelën.

“Një lloj patateje apo domatje më të mirë se një tjetër që i kam në dyqan nuk mundem t’i shes njësoj, ndonëse detyrohem dhe i ve një çmim me diferencë shumë të vogël që të shiten.”

Më tepër, shitësi u shpreh se edhe restorantet që janë blerës të sasive më të mëdha,nuk ndihmojnë sepse kërkojnë t’i blenë produktet më lirë se sa blihen nga vetë shitësit.

Një pronar i një biznesi për inputet bujqësore në Shqipëri tregon për gazetën “SI” se përveç mungesës në treg të këtyre produkteve, arsyeja kryesore është mungesa nëpër toka e këtyre bimëve.

“Shumë fermerë kanë zgjedhur që sivjet të mos mbillnin më patate sepse vitin e shkuar u shit me një çmim tallës prej 20 lekësh. Puna dhe shpenzimi për ta nxjerrë në treg nuk u tërhoq mbrapsht dhe madje doli me humbje”,-tha ai për “SI”.

“Rrjedhimisht, në treg ka më pak patate sepse kultivimi i tyre është më i pakët. Gjithashtu, një faktor me rëndësi është moti. Paqëndrueshmëria e motit deri në fund të muajit prill shtyu kohën e nxjerrjes në treg të produkteve. Patatja dhe domatja janë më të prekurat sepse ky është sezoni i tyre.”

Sipas INSTAT, prodhimi i frutave është shtrenjtuar me 12.7% këtë vit, ndjekur nga agrumet që janë rritur me 8.1%.

Halit Hoxha, një pensionist 75 vjeçar i cili po zgjidhte një pjepër në njërën nga tezgat tha për gazetën “SI” se këtë vit ai dhe bashkëshortja e tij kishin ngrënë më pak fruta si rrjedhojë e çmimeve më të larta.

“Ne jemi pensionistë. Këtë vit të gjithë frutat dhe perimet kanë qenë me 50 lekë ose më shumë, më shtrenjtë. Nuk kam as fuqinë e duhur fizike që të bëj pazar në tregje të tjera ku mund t’i gjej më lirë. Vij këtu në Pazar të Ri se e kam më afër shtëpisë por për pensionin tonë këto çmime janë shumë shtrenjtë.

Nuk përballohet blerja e tyre çdo ditë.”

Ky shtrenjtim çmimesh po ndikon shumë jo vetëm në xhepat por edhe në regjimin e konsumatorëve shqiptarë.

Tashmë tendenca duket, temperaturat do jenë të larta, çmimet do vijojnë të jenë “të nxehta” dhe shqiptarët do konsumojnë më pak fruta-perime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë