Nga Gazeta Si- Një ditë pas vrasjes së 41-vjeçarit shqiptar Altin Arapaj në Greqi, policia ka arrestuar autorin, 46-vjeçarin Mikel Selimaj.
Sipas mediave greke, Selimaj u kap në një shtëpi në Glyka Nera.
Ka qenë pronarja e apartamentit ku jetonte 46-vjeçari që u përpoq ta kontaktonte duke trokitur në derë, pa marrë asnjë përgjigje. Pasi nuk mundi të hapte derën, ajo telefonoi policinë, duke deklaruar se ndoshta kishte një emergjencë.
Oficerët e policisë mbërritën në vendngjarje duke i rënë ziles për rreth 20 minuta. Më në fund, 46-vjeçari hapi derën, qartësisht nën ndikimin e drogës. Oficerët e policisë e njohën nga fotografia që kishin në dispozicion dhe e vunë në pranga. Në të njëjtën kohë, autoritetet kanë gjetur automjetin që dyshohet se është përdorur nga autori i krimit, brenda të cilit u gjet një gëzhojë dhe gjurmë gjaku të tharë.
Sipas informacioneve, gruaja e 41-vjeçarit kontaktoi autoritetet të mërkurën, duke raportuar se mori një telefonatë nga ai se është qëlluar nga një person, të cilit i kishte përmendur edhe emrin, dhe i kërkoi që të përpiqej ta gjente. “Më qëlloi Keli, zbuloni se ku jam”, thuhet se ka thënë ai.
Nga gjurmët e telefonit, ata fillimisht e gjetën aparatin dhe më pas viktimën të vdekur në një vresht, ku duket se autori e kishte transportuar trupin.
Autori i krimit, viktima dhe dy burra të tjerë, gjithashtu nga Shqipëria, të cilët po kërkohen, ishin takuar pak kohë më parë dhe të gjithë hipën së bashku në makinën e 46-vjeçarit. Ata bënë një ndalesë në fushë dhe aty viktima dhe autori u grindën, ku 46-vjeçari e qëlloi me armë në faqe.
Viktima dhe autori kanë precedentë për drogë dhe policia beson se një mosmarrëveshje droge ishte motivi i vrasjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.