Komiteti Teknik Shkencor në Itali ka miratuar protokollin e Federatës Italiane dhe të Ligës së Serie A për të lejuar stërvitjen në grup të skuadrave. Protokolli i ri do të lejojë që të mos kryhen më dy javë të grumbullim të detyrueshëm brenda në një qendre sportive për të gjithë skuadrën. Nuk ka evente deri në 14 qershor dhe ndërkohë vendimi për rifillimin e kampionatit do të merret në takimin që do të mbahet në datë 28 maj. Data më e mundshme e rinisjes është 20 qershori. Duke patur në konsideratë që UEFA ka kërkuar të mbyllë turnetë kombëtarë brenda 3 gushtit, vështirë se do të arrihen të zhvillohen deri në atë datë të gjithë 12 javët e mbetura (dhe disa rikuperime), pa llogaritur gjysmëfinalet e kthimit dhe finalen e Kupës së Italisë.
Për këtë arsye është shfaqur një hipotezë që shumë i druheshin, sepse do të ndryshonte në mënyrë thelbësore strukturën e një sezoni të nisur me një formulë dhe e destinuar të mbyllet me një rregullore sportive krejt ndryshe, përtej pesë zëvendësimeve tashmë të aprovuar në nivelin evropian. Bëhet fjalë për play-off-et, një format i rrallë në botën e futbollit, edhe pse prej disa vitesh është përdorur nga Serie B.
Federata Italiane po mendon të modifikojë formatin, duke limituar në 10 numrin e skuadrave të përfshira dhe jo 12, siç mendohej fillimisht. Katër (Juve, Lazio, Inter dhe Atalanta) do të luanin për titullin, duke lënë jashtë Roma e Napoli, ndërsa gjashtë të fundit (Torino, Sampdoria, Genoa, Lecce, Spal e Brescia) do të luftonin për të mos rënë. Ndeshjet do të luhen në qendër dhe jug të Italisë.
Një projekt jo i thjeshtë për tu zbatuar dhe që mund të gjejë kundërshtinë e klubeve të ndryshme, duke e vonuar edhe më shumë fundin e këtij sezoni të trazuar, duke shtuar mundësinë për ta mbyllur para kohe, pa luajtur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




