Drejtësia

Me pasuri 55 milionë euro, mbyllen hetimet për grupin që trafikoi 6 tonë kanabis

SPAK ka mbyllur hetimet për 9 të pandehur, të cilët dyshohen se kanë trafikuar një sasi prej 6 tonë kanabis nga Shqipëria drejt Italisë. Në krye të këtij grupi qëndron Ilirjan Duçellari, ndërsa nga trafiku i lëndës narkotike është përfituar një shumë prej 55 milionë eurosh.

Personat në fjalë janë vënë në pranga në kuadër të operacionit “Shpirti”, ku u arrestuan dhe dy shoqëruesit e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ka qenë një i penduar i drejtësisë, ai që ka rrëfyer përpara prokurorëve italianë se si kreu i grupit kriminal shqiptar, Ilirjan Duçellari, arrinte të kalonte i qetë dhe i sigurt lëndën narkotike, si në rrugë tokësore, ashtu edhe në ato detare.

Dosja hetimore e nisur nga viti 2019, ka në ngarim të pandehurit I.D., A.K., K.(P.)B., O.D., J.B., R.M., R.M (tjetër shtetas ky), A.K., M.D., të akuzuar se kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”

Grupi akuzohet edhe për “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, mbetur në tentativë; “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Gjatë hetimit janë dokumentuar disa episode trafikimi të lëndës narkotike të sekuestruar në Shqipëri dhe Itali, në një sasi prej 6 (gjashtë) tonë lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, marijuanë, kokainë, duke i hequr organizatave kriminale të ardhura të vlerësuara në mbi 55 milionë euro, për një sasi totale prej rreth 14 milionë dozash nga shpërndarja me pakicë.

Në kuadër të këtij hetimi, janë sekuestruar me qëllim konfiskimin e tyre, pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, subjekte tregtare, ambiente biznesi, në një vlerë rreth 5 (pesë) milion euro.

Hetimet në lidhje me këtë grup vazhdojnë për 28 persona të tjerë të arrestuar, si dhe për persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë