Nga Gazeta ‘Si’-Në parlamentin e Malit të Zi në orët e vona të mbrëmjes së djeshme është votuar me 46 vota pro qeveria e re, me kryeministër liderin e Lëvizjes Evropa Tani (PES) Milojko Spajiç.
Qeveria e kryeministrit Spajiç u votua pas një debati maratonë gjatë natës ku 19 deputetë votuan kundër ndërsa vetëm një nga ligjvënësit e pranishëm në sallë abstenoi.

Qeveria e re e Malit të Zi i jep fund udhëheqjes së ekzekutivit me mandat teknik të Dritan Abazoviçit, Qeveria e së cilit u rrëzua përmes një mocioni të mosbesimit në gusht të vitit 2022.
Gjatë fjalës së tij para deputetëve, Spajiç tha se “anëtarësimi në plotë” në Bashkimi Evropian, anëtarësimi “aktiv dhe i besueshëm” në NATO, përmirësimi i lidhjeve rajonale dhe marrja e një roli më aktiv në organizatat multilaterale do të jenë katër prioritetet kryesore të ekzekutivit të tij.
Koalicioni i qendrës Evropa Tani fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në qershor, por nuk arriti të fitonte mjaftueshëm sa të krijonte vetë Qeverinë.
Koalicioni i ri përfshin parti pro-ruse dhe pro-serbe, veçanërisht aleancën Për Ardhmërinë e Malit të Zi, udhëheqësi i së cilës Andrija Mandiç u zgjodh kryetar parlamenti të hënën.
Aleanca e Mandiç është kundër njohjes së Kosovës dhe nuk mbështet sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë pas pushtimit të saj në Ukrainë.
Gjatë fushatës zgjedhore, Mandiç ka bërë thirrje për raporte më të ngushta me Rusinë, ka kritikuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe ka folur kundër referendumit të vitit 2006 që çoi në shkëputjen e shtetit nga Serbia.
Pasi u zgjodh kryeparlamentar, ai u zotua për punë drejt tejkalimit të ndasive. Kritikët thanë thënë se zgjedhja e tij në postin e kryeparlamentarit do të pengojë ambiciet e shtetit për anëtarësim në BE.
Lidhur me partitë shqiptare, postin e zëvendëskryeministrit për Politikat Ekonomike dhe Ministrit për Zhvillimin Ekonomik e ka marrë ish kryetari i Bashkisë së Tuzit, Nik Gjeloshaj, i cili dorëhoq nga mandati si udhëheqës lokal.
Fatmir Deka do të jetë ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoritetet, ndërsa Marash Dukaj është emëruar Ministër i Administratës Publike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



