Ne rrjet

Me pamje nga një vend tjetër dhe verë sllovene, pse po kritikohet ashpër fushata e turizmit në Itali

Fushata “Open to Meraviglia” e Ministrisë së Turizmit në Itali, për të njoftuar nisjen e sezonit turistik veror, është vënë nën kritika të ashpra si brenda dhe jashtë vendit.

Kritikat më të mëdha janë bërë për shkak se disa nga bukuritë e promovuara në video, në fakt, nuk janë të Italisë.

Momenti kur një grup të rinjsh shfaqen në video duke shijuar një aperitiv është xhiruar në rajonin Cotar të Sllovenisë, afër kufirit italian, dhe shishja në tavolinë është verë sllovene dhe jo italiane.

Gjithashtu, jo fort e mirëpritur ka qenë edhe mënyra se si videoja e ka sjellë Perëndeshën Afërdita.

Perëndeshë Afërdita si një bloggere?!

Ajo vjen në rolin e një “influencer-eje” në Instagram, me minifund, duke shijuar një picë ose duke pozuar përpara monumenteve të ndryshme italiane.

Për historianin Tomaso Montanari kjo fushatë reklamuese është “groteske”. Megjithatë, ministrja italiane e Turizmit, Daniela Santanche mbrojti punën e bërë duke u shprehur se paraqitja e perëndeshës romake si një blogere kishte për qëllim tërheqjen e të rinjve.

Kritikat për fushatën prej 9 mln euro nuk i kurseu edhe nënsekretari italian i kulturës dhe kritiku i hapur i artit Vittorio Sgarbi.

“Meqenëse Afërdita është e zhveshur, do të ishte më mirë ta shihnim në atë mënyrë, pa pasur nevojë ta vishnim kështu”, tha Sgarbi për gazetën La Repubblica, duke e përshkruar fushatën si “gjëra të Ferragni-t”, (duke iu referuar influencuer-es të mediave sociale Chiara Ferragni ) dhe pyet: “Open to meraviglia? Për çfarë bëhet fjalë? Çfarë gjuhe është?”

Emri i fushatës “Open to meraviglia” ka ngjallur një stuhi memesh në internet, me përdoruesit e mediave sociale që e akuzojnë fushatën si të çuditshme, të sikletshme dhe të mbështetur në stereotipe të lodhura.

Shumë ishin gjithashtu të shpejtë për të vënë në dukje se një koleg anëtar i partisë së krahut të djathtë të Santanchè-s, Fratelli d’Italia, kohët e fundit propozoi gjoba deri në 100.000 euro për subjektet italiane që përdorin fjalë angleze në komunikimet zyrtare.

Të tjerë kanë vënë në pikëpyetje zgjedhjen e protagonistit të fushatës si një përshtatje e krijuar nga Inteligjenca Artificiale.

Megjithatë, ajo që i shqetëson më shumë kritikët është sipërfaqësia e fushatës dhe imazhi i Italisë që ajo promovon.

Italia është shtëpia e 58  vendeve të UNESCO-s , që do të thotë se krenohet me më shumë trashëgimi kulturore se çdo vend tjetër në botë. Rreth 65 milionë njerëz vizitojnë Italinë çdo vit, duke kontribuar në një industri që përbën 13% të PBB-së së vendit. Turizmi, për ta thënë thjesht, është gjaku i ekonomisë italiane.

Por në vitet e fundit përqendrimi i tepërt i turistëve në vende si Venecia, Firence dhe Portofino, ka dëmtuar komunitetet lokale dhe ka krijuar fërkime me vendasit.

Qyteti i Portofinos sapo ka sjellë ligje për të gjobitur turistët deri në 275 euro për selfie në shtigjet e tij publike më fotogjenike. Autoritetet e Romës mund të gjobisin turistët që ulen në shkallët spanjolle, ndërsa në Venecia dhe Firence, turistët mund të gjobiten deri në 500 euro për të ngrënë në disa nga rrugët e saj më të ngarkuara.

Përveç pauzës së shkurtër gjatë pandemisë Covid, debati gjatë dhjetë viteve të fundit ka qenë se si të zbuten efektet dëmtuese të mbiturizmit të Italisë duke i kanalizuar të ardhurat që ofron në mënyrë më efektive në ekonominë italiane.

Sugjerimi më i mirë deri tani ka qenë inkurajimi i udhëtarëve që të dalin nga rruga e rrahur, të kalojnë pak kohë larg qyteteve të mëdha dhe të eksplorojnë qytetet e vogla dhe fshatrat e paprishur.

Në këtë kontekst, Italia “Open to Meraviglia” duket edhe më e çuditshme.

A është ky imazh i zhveshur i Italisë ajo që duan turistët më të rinj? Dhe a rrezikon përkujdesja ndaj influencer-ave të rrjete sociale të tjetërsojë demografinë më të gjerë të udhëtarëve të Italisë?

Burimi: Wanted in Rome/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë