Treg

Më pak se gjysma e të rinjve, të punësuar. Shqetësuese shifra e atyre që as kanë as duan punë

Të rinjtë vijnë të mbeten në vend një plag e hapur përsa i përket punësimit. Kjo situatë nuk është vetëm për shkak të pandemisë, por për shkak të problemit të akumuluar ndër vite që lidhet me politikat dhe tregun e punës në Shqipëri.

Më herët ekspertët e fushës kanë shpejguar se nuk ka një koordinim mes politikave qeveritare, universiteteve dhe bizneseve që të përgatiten të rinj me aftësi për tregun e punës ku të rinjtë të punojnë në ato punë ku të vlerësohen sipas stadarteve të ekspertizës. Por sipas ekspertëve tregu ofron punë pa ekspertizë me paga të ulta, nga ana tjetër biznesi ankohet për burime njerëzore të pakualifikuara.

Kjo situatë ka prodhuar atë kategori të të rinjve që me dëshirë për tu larguar, vegjetojnë në shtëpi duke mos kryer asnjë aktivitet ekonomik dhe nuk janë në kërkim të një të tilli. Kjo kategori përbën 8,5 % të të rinjve shqiptarë të moshës 15-29 vjeç që nuk kryejnë ndonjë aktivitet ekonomik.

Të dhënat më të fundit të INSTAT për tregun e punës tregojnë se në tremujorin e tretë 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 53,3 %. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 78,2 %.

Shkalla e punësimit të të rinjve është 42,3 %. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2020, shkalla e punësimit është 71,1 %.

Papunësia

Në tremujorin e tretë 2020,  shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është 20,7 %. Në terma vjetorë shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në ulje. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e tretë të vitit 2020 është 0,7 pikë përqindje më e ulët. Krahasuar me tremujorin e dytë 2020, shkalla e papunësisë për të rinjtë është ulur me 0,7 pikë përqindje.

Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 67,2 % të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 8,5 % klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç ky grup përbën 14,1 % të popullsisë ekonomikisht jo-aktive të kësaj grup-moshe.

Sipas INSTAT në tremujorin e tretë 2020, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 61,3 %. Gjatë këtij tremujori, në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit 2019, numri i të punësuarve gjithsej u ul me 1,2 %, ndërkohë krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2020, ky tregues u rrit me 2,8 %.

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2020, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 61,3 %. Ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i tretë i vitit 2019 në tremujorin e tretë të vitit 2020, është -1,2 %. Në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është -3,7 % në sektorin e bujqësisë, -0,2 % në sektorin e industrisë dhe 0,6 % në sektorin e shërbimeve. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e tretë 2020, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 2,8 %. Punësimi mbeti në të njëjtin nivel në sektorin e bujqësisë dhe pësoi rritje në sektorin e industrisë me 5,6 % dhe atë të shërbimeve me 3,8 %.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë