Nga Gazeta ‘SI’ – Në muajin shtator, sasia e parave cash u reduktua lehtë.
Nga llogaritjet e Bankës së Shqipërisë rezulton se në shtator qarkulluan 461 miliardë lekë jashtë sistemit bankar, 2 mld lekë më pak se në gusht. Kjo është hera e parë në një vit që ky tregues pëson rënie.
Pakësimi i parasë së thatë në shtator përputhet me nismën e qeverisë, e cila po të njëjtin muaj njoftoi se do të merren masa të ashpra për reduktimin e parasë së thatë në vend. “Reduktimi i parasë “cash” është një hap i rëndësishëm drejt formalizimit të ekonomisë dhe luftës kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave”, tha atëherë, ministrja e Financës, Delina Ibrahimaj.
Shtatori rezultoi një muaj produktiv për turizmin dhe rënia e cash-it mund të jetë dhe efekt sezonal. Paralelisht BSH raporton se në të njëjtën periudhë pati dhe një rritje të pagesave POS, pra me kartë fizike, pagesave online si edhe depozitave.
Ndryshe nga cash-i, të gjithë agregatët tjerë të parasë janë rritur.
M3 që njihet si paraja e gjerë u rrit në 1.91 trilionë lekë, nga 1.9 trilionë lekë që ishte në muajin gusht.
Sipas shifrave të BSH-së, në shtator 2025, agregati M1 (paraja jashtë korporatave depozituese plus llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në lekë të rezidentëve jobanka, pa qeverinë) është shtuar me rreth 6 mld lekë nga korriku dhe raportohet 925 mld lekë.
Agregati M2, ku përfshihen paratë jashtë korporatave depozituese, plus depozitat me afat në lekë të rezidentëve jobanka, është rritur me 7 miliardë lekë brenda një muaji duke prekur vlerën e 1.142 trilion lekëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



