Biznes

Më pak ndërmarrje inovative në Shqipëri

Gjatë viteve 2018-2020, numri i ndërmarrjeve që kryen një aktivitet inovacioni ra me 1.7 pikë përqindje në raport me 2017 -2018, sipas të dhënave të INSTAT.

Gjatë kësaj periudhe , 36.6% e ndërmarrjeve të vrojtuara kryen një aktivitet inovacioni, ndërsa gjatë periudhës 2017 – 2019, ishin 38.3% që e kryenin këtë aktivitet.

Aktiviteti i inovacionit rezulton më i lartë në ndërmarrjet të cilat operojnë në sektorin e shërbimeve me 42.2%, krahasuar me ndërmarrjet në sektorin e industrisë me 34%.

Grupi i ndërmarrjeve të mëdha me mbi 250 të punësuar rezultuan më aktive në inovacion me 67.9%.

Rënia në aktivitet e inovacionit u pasqyrua kryesisht në ndërmarrjet e sektorit të industrisë me 2.0%.

Përqindja më e lartë e ndërmarrjeve që zhvilluan inovacione produktesh, inovacione procesesh dhe inovacione produktesh dhe procesesh së bashku, rezultuan në sektorin e Shërbimeve.

Në vitin 2020, shitjet neto të realizuara nga ndërmarrjet aktive në inovacion përbënë 55.9% të shitjeve neto gjithsej të ndërmarrjeve të vrojtuara ndërsa numri i të punësuarve në këto ndërmarrje rezultoi 51.9% .

Gjatë periudhës 2018-2020, 23.6% e të gjitha ndërmarrjeve të vrojtuara zhvilluan inovacione të produkteve (mallra ose shërbime të reja ose të përmirësuara), ndërsa 31.6% zhvilluan procese biznesi të reja ose të përmirësuara.

Nga ndërmarrjet me inovacione të produkteve, 37.2% e tyre zhvilluan mallra të reja ose të përmirësuara dhe 31.4% e ndërmarrjeve zhvilluan shërbime të reja ose të përmirësuara. Ndërsa ndërmarrjet që zhvilluan së bashku mallra dhe shërbime të reja ose të përmirësuara rezultuan 31.4%.

Gjatë periudhës 2018-2020, 42,0% e ndërmarrjeve me inovacione produktesh prezantuan mallra ose shërbime që ishin të reja jo vetëm për ndërmarrjen, por edhe për tregun (jo të ofruara më parë nga konkurrentët e tyre).

Për të kryer aktivitetin e tyre të inovacionit, 25.9% e ndërmarrjeve aktive në inovacion ishin të përfshirë në bashkëpunim me ndërmarrje të tjera, organizata shkencore dhe partnerë të tjerë. Për ndërmarrjet me mbi 250 të punësuar, kjo përqindje rezultoi 38.1%.

Gjatë periudhës 2018-2020, 13.1% e ndërmarrjeve të vrojtuara kanë blerë makineri, pajisje ose mjete programuese të bazuar në teknologji të re që nuk ishte përdorur më parë nga këto ndërmarrje.

Në këtë hark kohor, 3.6% e ndërmarrjeve aktive në inovacion morën mbështetje financiare nga autoritetet publike, ndërsa 1.6% ndërmarrjeve që nuk kryen ndonjë inovacion morën mbështetje financiare publike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë