Shendet

Me pak kujdes të shtuar, Covid-19 nuk do jetë problem për Vit të Ri

Nga Gazeta Si – Me pak kujdes, Viti i Ri do të jetë pa shqetësimin e infektimit me Covid-19.

Blerta Brati, mikrobiologe dhe zv/drejtoresha teknike në ISHP thotë për Gazetasi.al se Shqipëria aktualisht është në një situatë normale të qarkullimit të gripit me një trend në rritje, ku piku mund të pritet në fund janari, fillim shkurti.

“Ka qarkullim të Covid-19 por asgjë shqetësuese për momentin në vendin tonë”, thotë Brati, duke shtuar se bota është pak më e shqetësuar edhe për shkak të popullsisë dhe faktit se ka më shumë grumbullime apo dhe klimë më të ftohtë, çka ndikojnë në rritjen e rasteve të Covid-19.

Mjekja mikrobiologe, Blerta Brati. Gazeta Si, dhjetor, 2023.

“Ndryshimi është se shtetet që kanë probleme këto kohë kanë popullsi milionëshe, përdorime të trameve, metrove, busave, pra transportin publik shumë të madh, (grumbullime njerëzish) dhe kanë klimë më të ftohtë. Ne nuk patëm as rritjen që menduam të Covid-19 pas pushimeve të verës ku lëvizja e turistëve ishte e madhe gjithashtu”, thotë Brati.

Por, shton mjekja mikrobiologe, meqë jemi në periudhë feste dhe pushimesh, “ne këshillojmë qytetarët të bëjnë kujdes për të mbrojtur grupet më të rriskuara”, për shembull moshat mbi 65 vjeç, personat me sistem imunitar të ulët apo personat me sëmundje bashkëshoqëruese, duke zbatuar masat e higjienës siç janë distanca, larja e duarve, mbulimi i gojës gjatë teshtitjes apo kollës, përdorimi i maskës aty ku ka persona me shenja të virozave stinore.

“Kujtojmë që këto masa janë dhe duhet të jenë masa kujdesi të përdorshme gjithmonë për parandalimin e transmetimit të sëmundjeve infektive, aq më tepër atyre që transmetohen me rrugë aerogjenë”, thotë Brati, duke shtuar se gjithashtu mjekët vazhdojnë të këshillojnë kryerjen e vaksinimit ndaj gripit dhe Covid-19 për grupet me rriskim.

Përsa i përket variantit JN.1 , mjekja mikrobiologe thotë se sipas të dhënave nga vende të ndryshme, 97% e rasteve pozitive për këtë variant janë simptomatike, por ka një klinikë të ngjashme dhe më të lehtë se Omicron. Ai mund të anashkalojë mbrojtjen imunitare, por jo plotësisht,  është më pak i transmetueshëm dhe më pak virulent siç po duken të dhënat nga shtete të ndryshme.

“Për momentin ky variant nuk duket preokupues. Krahasuar me nënlinjën e tij prindërore BA.2.86.1, JN.1 paraqet tre mutacione aminoacide duke përfshirë vetëm një në proteinën Spike (L455S)”, përfundon Brati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë