Disa njerëz raportojnë se përjetojnë ëndrra më të gjalla brenda disa ditësh nga ulja e konsumit të kafeinës. Çfarë po ndodh?
A e keni ulur kohët e fundit konsumin e kafeinës dhe ndiheni sikur po shihni ëndrrat më të gjalla të jetës suaj?
Ndërsa ka një numër përfitimesh të mundshme nga ulja e konsumit të kafeinës, siç janë dhëmbët më të bardhë dhe më pak shkuarje në tualet, shpesh dëgjojmë se një anë negative e uljes së konsumit të kafeinës është shfaqja e ëndrrave të gjalla (dhe nganjëherë të frikshme).
Është një efekt i çuditshëm dhe specifik që shumë njerëz thonë se fillon të shfaqet brenda disa ditësh nga ulja e konsumit të kafeinës.
Por a ka vërtet ndonjë shkencë pas kësaj?
Si ndikon kafeina tek gjumi
Kafeina është një stimulues që na bën të ndihemi vigjilentë dhe zgjuar. Ajo funksionon duke bllokuar një kimikat në trurin tonë të quajtur adenozinë.
Adenozina zakonisht grumbullohet gjatë ditës ndërsa jemi zgjuar dhe aktivë. Në mbrëmje, grumbullimi i adenozinës në trurin tonë na ndihmon të ndihemi të përgjumur. Adenozina largohet ndërsa flemë dhe zgjohemi idealisht duke u ndjerë të freskët, gati që adenozina të grumbullohet përsëri.
Kur marrim kafeinë, ajo bllokon sinjalin e adenozinës. Pra, ndërsa adenozina është ende aty, nuk e ndiejmë përgjumjen aq fort. Kur kafeina zhduket, dëshira jonë për të fjetur rritet (rënia e kafeinës).
Kafeina ka një gjysmë-jetë prej rreth tre deri në gjashtë orësh, që do të thotë se gjysma e kafeinës që konsumojmë është ende në trupin tonë pas kësaj kohe dhe, e rëndësishmja, ende ndikon në adenozinë. Kjo është arsyeja pse, për shumë njerëz, marrja e kafeinës në pasdite ose në mbrëmje mund ta bëjë më të vështirë të bien në gjumë natën.
Duke ndërhyrë në sinjalin tonë të adenozinës, kafeina mund ta bëjë gjumin tonë më të çrregullt dhe të zvogëlojë sasinë e përgjithshme të gjumit që marrim. Kjo është vecanërisht e vërtetë për gjumin tonë të thellë (NREM). Në përgjithësi, hulumtimi tregon qartë se sa më vonë të marrim kafeinë dhe sa më shumë të marrim, aq më keq është për gjumin tonë.
Nuk ka shumë hulumtime të drejtpërdrejta nëse ulja e kafeinës i bën ëndrrat tona më të gjalla pasi shumica e studimeve përqendrohen në mënyrën se si kafeina ndikon në gjumë sesa në atë që ndodh në ëndrrat tona.
Por kjo nuk do të thotë se jemi plotësisht në errësirë. Ne e dimë që cilësia e gjumit dhe ëndërrimi janë të lidhura ngushtë.
Pse më pak kafeinë mund të jetë e barabartë me ëndrra më të gjalla?
Edhe pse nuk ka prova të drejtpërdrejta, njerëzit vazhdojnë të thonë të njëjtën gjë: ata ulin kafeinën dhe brenda pak netësh, ëndrrat e tyre fillojnë të ndihen më të gjalla, të frikshme ose thjesht të çuditshme.
Ndërkohë që reduktimi i kafeinës nuk do të shkaktojë drejtpërdrejt ëndrra të gjalla, ekziston një lidhje e besueshme. Meqenëse kafeina mund të zvogëlojë gjumin total dhe të rrisë zgjimet gjatë natës, veçanërisht kur konsumohet më vonë gjatë ditës, reduktimi i saj mund ta lejojë trupin tonë të “rimëkëmbet”. Kur flemë më shumë, kjo mund të rrisë sasinë e gjumit me lëvizje të shpejtë të syve (REM) që bëjmë.
REM është një fazë e gjumit kur trupi ynë është i relaksuar, por truri ynë është shumë aktiv. Është gjithashtu faza e gjumit e lidhur me ëndrrat. Më shumë gjumë REM mund të nënkuptojë më shumë mundësi për trurin tonë për të prodhuar ëndrra të gjalla dhe të hollësishme.
Gjumi REM është gjithashtu faza e gjumit nga e cila ka më shumë gjasa të zgjohemi gjatë natës, dhe nëse zgjohemi nga gjumi REM ka të ngjarë të kujtojmë ëndrrat tona, sepse ato janë “të freskëta” në kujtesën tonë.
Pra, ulja e konsumit të kafeinës mund të thotë që ne të kemi më shumë gjumë REM, që do të thotë më shumë mundësi për të ëndërruar dhe më shumë mundësi për të kujtuar ëndrrat tona.
Sigurisht, gjumi është kompleks dhe kështu janë edhe ëndrrat. Jo të gjithë do të shohin papritur ëndrra të gjalla pasi të kenë hequr dorë nga kafeina, dhe efekti mund të zgjasë vetëm për disa ditë ose javë.
Në fund të fundit, nuk ka shumë prova të forta që lidhin uljen e konsumit të kafeinës me ëndrrat e gjalla, por mund të ketë një lidhje. Kafeina ndikon në gjumin tonë. Gjumi ndikon në ëndërrimet tona. Dhe kur e heqim kafeinën nga ekuacioni, ose e zvogëlojmë atë, kjo mund t’i japë trurit tonë një shans për të kaluar më shumë kohë në gjumin REM.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



