Futboll

Më në fund gati ‘Kukës Arena’, rikthehet pas shumë kohësh edhe ‘Selman Stërmasi’

Gazeta Si – Gati një muaj para mbylljes ss sezonit, Superiores i shtohen dy stadiume. Nuk janë stadiume të reja, por të rikonstrukturuar dhe më në fund gati për skuadrat e tyre. Bëhet fjalë për stadiumin e Kukësit dhe “Selman Stërmasin” në kryeqytet.

Stadiumi i Kukësit, tashmë i pagëzuar me emrin “Kukës Arena” (më parë quhej Zeqir Ymeri), do të inaugurohet këtë fundjavë, kur ekipi vendës do të presë Laçin. Inaugurimi i këtij stadiumi është shtyrë disa herë për çështje teknike, por tashmë gjithçka është gati. Vetë klubi verior ka lajmëruar rikthimin zyrtar në shtëpi.

Në shtëpi rikthehet edhe Tirana. “Selman Stërmasi” është gati pas një kohe të gjatë dhe në fundjavë do të presë ndeshjen e bardhebluve me Kastriotin. Kryesuesit e kampionatit kanë luajtur deri tani në “Air Albania”, ndërsa me mbylljen e këtij stadiumi janë spostuar edhe ata në Elbasan. Ndoshta “Selman Stërmasi” do t’u vijë në ndihmë edhe dy skuadrave të tjera kryeqytetase, Partizanit dhe Dinamos.

Stadiumi “Selman Stërmasi”, gati për Tiranën. Gazeta Si, 21 prill 2022

Superiorja ka vuajtur këtë sezon më shumë se asnjëherë tjetër për stadiume. Shumë skuadra nuk kanë pasur një ‘shtëpi’ dhe janë detyruar të shtegtojnë në qytete të tjera, kryesisht në Elbasan. Teuta u kthye në Durrës vetëm para pak javësh, pas rikonstruksionit që iu bë “Niko Dovanës”. Kastrioti ndërkohë vazhdon të luajë në Kamzë si pritës, pasi stadiumi i Krujës nuk plotëson kushtet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë