Ngjarje

Më në fund do të nisë rehabilitimi i Urës së Zogut

Me anë të një njoftimi në rrjetin social Facebook, Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se projekti i hartuar nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit ka marrë dritën jeshile nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale për ndërhyrjen në këtë objekt.

“Gati për të rilindur Urën e Zogut mbi lumin Mat, monument kulture”, shkruan Rama.

Prej vitesh banorë të zonës dhe aktivistë të ndryshëm kanë kërkuar shpëtimin nga rrënimi të kësaj ure.

Madje edhe Komiteti i Trashëgimisë Europiane shkroi vitin e kaluar se një nga 7 vendet e trashëgimisë së çmuar të Europës që janë të rrezikuara është edhe Ura e Zogut.

Shtatë monumentet dhe vendet e trashëgimisë më të rrezikuara në Europë 2022 u shpallën nga përfaqësuesit e Europa Nostra, një federatë për trashëgiminë kulturore dhe Instituti i Bankës Europiane të Investimeve.

“Pavarësisht veçantisë së saj, aq sa Shqipëria e shpalli Monument Kulture të kategorisë së parë, ura është rrënuar. Ndërtimi i dy urave të tjera më tej përgjatë lumit Mat ka bërë që Ura e Zogut të mos përdoret dhe si rrjedhojë të mos mirëmbahet siç duhet. Turistët ende e vizitojnë rregullisht urën, por ajo rrezikon të shembet pasi një nga kolonat është në prag të shkatërrimit”, shkruhej asokohe.

Ura u dëmtua edhe më shumë këtë vit nga prurjet e larta të lumit Fan dhe Mat, por edhe nga marrja e inerteve nga shtretërit e këtyre dy lumenjve.

Struktura e urës pësoi dëmtime jo vetëm në këmbët e saj, por edhe në pjesën e harqeve, ku rrezikon të shembet.

Arkitektja dhe arkeologia Lida Miraj, anëtare e Këshillit të “Europa Nostras” ka thënë për Gazetasi.al se prej 30 vitesh ura nuk e kryen më funksionin e saj të parë, siç e projektoi inxhinieri zviceran Erwin Schnitter dhe e zbatoi ai shqiptar, Gjovalin Gjadri. E megjithatë, në vitin 1999 ajo u shpall monument kulture. Arkitektja Miraj teksa tha se ura i është gjunjëzuar shpërfilljes institucionale, hodhi akuza mbi Ministrinë e Kulturës, pasi sipas saj nuk ka bërë asgjë për ta mbrojtur.

“Ministria e Kulturës nuk ka bërë asgjë, absolutisht asgjë në gjithë këto vite. Nuk e di ku shkojnë fondet për rijetëzimin dhe rikonstruksionin e monumenteve, por aty nuk ka pasur asnjë ndërhyrje, vetëm braktisje që prej viteve ’90-’92. Ministria e Kulturës natyrisht që ka përgjegjësi, sepse duhet të ishte mbrojtur”, tha Miraj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë