Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Afganistan, ku ka ndërruar jetë një ushtar shqiptar që ishte me mision.
Ministria e Mbrojtjes thotë se bëhet fjalë për ushtarin shqiptar me inicialet Xh. J, rreth 45 vjeç. Deri më tani nuk dihen rrethanat se si ka ndërruar jetë ushtari, ndërkohë që priten të tjera të dhëna që të dalin në dritë.
“Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura njoftojnë se dje, në orën 22:40 ora lokale në Afganistan, ka humbur jetën ushtaraku me inicialet XH. J. Autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA po bashkëpunojnë me komandën e operacionit për të bërë hetimin e plotë të rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja”, thotë ministria në njoftimin e saj për mediat.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA sigurojnë personelin në mision dhe familjet e tyre se do vijojnë të mbështesin e t’u gjenden pranë për të përmbushur me sukses misionin.
Ndër të tjera, Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm dhe gjithë personeli i Forcave të Armatosura i shprehin ngushëllimet më të ndjera familjes për ndarjen e parakohshme nga jeta të njeriut tyre të dashur.
Ky nuk është rasti i parë që një ushtar shqiptar humb jetën në mision.
Në vitin 2012 humbi jetën kapiten Feti Vogli gjatë misionit të NATO-s në Afganistan, ndërsa mbeti i plagosur rëndë ushtari Aleksandër Peçi. Ishte 20 shkurt i vitit 2012 kur një grup me efektivë shqiptarë u godit pabesisht nga një efektiv taleban i infiltruar mes trupave afgane duke qëlluar me armë nga ku mbeti i vrarë kapiten Feti Vogli.
Vogli shërbeu si pjesë e kontingjentit paqeruajtës “Eagle 4” të batalionit te forcave speciale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.