Lojëra me Dore

Me Karlos Alkaraz nis një epokë e re në tenis. A është ai Rafael Nadali i ri?

Gazeta Si – Rruga e spanjollit është ende shumë e gjatë, por nga ajo çfarë është parë dy vitet e fundit duket se është pikërisht ajo e duhura.

Pyetja e parë që na vjen në mendje pas triumfit të Karlos Alkaraz në Uimbëlldon është: a ka gjetur tenisi Rafael Nadalin e ri? Numri 1 në botë është spanjoll, ashtu si Rafa, por mes të dyve ka edhe ngjashmëri të tjera. Alkaraz, pak më shumë se 20 vjeç, ka në palmaresin e tij 2 tituj Slam, ekzaktësisht siç ka bërë në të njëjtën moshë Nadal, që në total ka fituar 22.

Ky djalosh nga Murcia ka mendjen dhe gjithçka që i duhet për të hyrë në historinë e sportit të tij, duke e dominuar për një kohë të gjatë. Varet edhe nga cilët rivalë do të gjejë përballë në karrierë. Rafael Nadal ka fituar ‘të pamundurën’ në një epokë, ku i është dashur vazhdimisht të përballet me Federer, Gjokoviç dhe Mërrein e kohëve më të mira.

Vështirë se Alkaraz do të gjejë në anën tjetër të rrjetës kundërshtarë të këtij kalibri. Dhe kjo mund t’ia lehtësojë vrapimin drejt numrash të rëndësishëm.

Suksesi ndaj Gjokoviç në barin e Londrës shonën gjithsesi një dorëzim stafetash në olimpin e tenisit. Alkaraz është lideri i padiskutueshëm i ‘Next Gen’, që tashmë ecën bindshëm në renditje botërore. Edhe pse ‘Nole’ do të mbetet një klient i vështirë edhe për pak kohë.

Karlos është stereotipi i tenistit të së ardhmes. Fizik i fuqishëm, ashtu si miti i tij Nadal, dhe sekretin e suksesit e ka në goditjet e tij të forta. Di të bëjë gjithçka dhe shumë mirë. Gjuajtjet e drejta dhe kthimet i luan me një intensitet jashtë të zakonshmes. Rotacioni është më i ëmbël në raport me atë të Rafas, por tejet efikas.

Shërbimin e ka më të mirë për fuqinë që tregon, prekja në rrjetë ndonjëherë befason për delikatesën dhe precizionin. Dhe pastaj karakteri, i akullt në momentet vendimtare, si në Uimbëlldon së fundi. Aspak frikë, pavarësisht presionit të pashmangshëm të Gjokoviç, që në një moment u duk se e kishte në dorë ndeshjen, falë ekpseriencës së tij të gjatë.

Po rritet mirë Alkaraz dhe ajo që impresionon më shumë është se ai ndihet mirë në çdo terren. Nuk është rastësi që ai, spanjoll, i rritur në dheun e kuq, ka fituar 2 Slam-e në çimenton e Us Open dhe bërin e Uimbëlldonit. Tani do të jetë gjithmonë e më shumë lojtari për t’u mundur, por këmbët i ka vendosur mirë në tokë dhe modestia është një nga cilësitë që ka.

Ka edhe një ‘armë’ më shumë, trajnerin Huan Karlos Ferrero. Një tenist i mirë i viteve 2000, ai ka qenë numri 1 në botë në vitin 2003, kur ka fituar edhe Roland Garros. Është një nga ata profesionistët që flasin pak dhe punojnë shumë në fushë.

Alkaraz beson tek ai që në 2019-ën, kur jeta e tij ka ndryshuar. Disiplina dhe regjimi edhe ushqimor e kanë transformuar nga një diamant në ‘xhevahirin’ më të mirë që ka sot tenisi botëror. Nga shtëpia e tij në Manacor, në ishullin e Majorkës, miti Nadal ka ndjekur gjithë finalen nga televizori. Dhe pas pikës vendimtare e ka komplimentuar në Instagram, ku mes të tjerash shkruante: “Sot na ke dhënë një gëzim të jashtëzakonshëm. Të përqafoj kampion!!!”

Rafael Nadal vuan, sepse është larg fushave, por në të njëjtën kohë është i lumtur: ndoshta e ka gjetur pasardhësin e tij të vërtetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë